Buxheti 2009: Gënjeshtra e parë
Projekt-buxheti 2009 do të jetë sipas mazhorancës dhe qeverisë Buxheti Kurorë i një qeverisjeje të sukseshme që ka rritur ndjeshëm mirëqenien e qytetarëve në fund të mandatit të saj. Që në paragrafin e parë ndeshemi me argumentin kryesor që kërkojnë të përcjellin në publik si qeveri: rritja e ekonomisë (Prodhimi Brendshëm Bruto) dhe e mirëqenies së shqiptarëve me 3 herë në këta 10 vitet e fundit. Problemi i vetëm, me strategjinë tanimë të shpalosur nga PD-ja, është se argmumenti kryesor i tyre hapës është i ndërtuar mbi një manipulim të pastër matematik.
Në paragrafin hapës të Projekt-buxhetit për 2009-n, thuhet se gjatë dhjetëvjeçarit të fundit: “ .... Me një rritje ekonomike mesatare prej rreth 6 për qind në vit, PBB-ja për frymë është më tepër se trefishuar gjatë kësaj periudhe .
PBB-ja për banorë në vitin 1998 ishte rreth 890 USD, ndërsa në vitin 2007 arriti në rreth 3450 USD”. Për këdo që ka fare pak njohuri ekonomike apo konceptet bazë të matematikës mund të vërtetojë se një rritje ekonomike prej 6% në 10 vjet,e ponderuar,është vetëm 69% më shumë (shiko tabelën shoqëruese).
Pra, rritja e të ardhurave për frymë ka qenë vetëm 69% më shumë nga viti 1998 dhe jo tri herë, apo 300% si deklaron Ministria e Financave.
Ajo që është shqetësuese në këtë analizë, ka të bëjë me manipulimin e shifrave bazë, me standardin e jetesës së shqiptarëve, duke nisur që nga dokumenti ekonomik bazë i qeverisë dhe deri te fjalimet pa fund të Kryeministrit për një rritje 2 herë të mirëqenies nën qeverisjen e PD-së.Nuk mund të kemi një dyfishim të mirëqenies kur ajo është rritur me 69% që nga 1998-a! Vetëm Kina është një rast unik që, me hovin e saj ekonomik, i dyfishon të ardhurat një herë në 6 vjet, me një rritje mesatare prej 12% të PBB-së në vit. Në rastin më të mirë, mirëqenia e shqiptarëve është rritur vetëm me ritmin normal të ekonomisë, nëse kemi besim të plotë shifrat që na ofrohen për inflacion real, po nga qeveria.
Argumenti i vetëqë shpjegon këtë lajthitje, në dukje të Ministrisë së Financave është rënia e fortë e vlerës së dollarit nga viti 1998. Me një manipulim të tillë, qeverisja kërkon të bindë shqiptarët se të ardhurat e tyre janë rritur trefish në këtë periudhë. Por, më shume se kaq, duan të përsërisin avazin e një rritjeje të mirëqenies dhe të të ardhurave të qytetarëve me dy herë, nën qeverisjen e tyre. Por, nëse ndjekim këtë argument të gabuar, i bie që pas një jave ne të zgjohemi shumë më të pasur, nëse dollari amerikan bie për një arsye ose një tjetër!!
PD-ja manipulon realitetin dhe nuk është kredibël dhe e përgjegjshme për situatën ekonomike në vend sot, aq më tepër me krizën ekonomike që po përjeton ekonomia evropiane dhe ajo botërore. Qeveria Berisha nuk mund dhe nuk garanton një të ardhme ekonomikisht të stabilizuar dhe në rritje, sepse ajo nuk punon për të përmirësuar situatën ekonomike dhe mundësitë e zhvillimit të reformave në Shqipëri.
E vërteta është se qytetarët shqiptarë sot, janë të qeverisur nga një klikë që përpiqet vetëm të luajë me numra dhe jo të rrisë mirëqenien, të krijojë vende pune për të rinjtë, të respektojë dhe të përkujdeset për ata që kanë punuar një jetë për këtë vend, apo të ruajë jetën e qytetarëve të vet. Sipas llogarive të thjeshta ekonomike, vetëm një rritje prej mesatarisht 16% në vit, për 10 vite, mund të arrijë atë që pretendon PD-ja dhe kjo është një shifër që e kemi dëgjuar dhe më parë të lançuar nga zoti Kryeministër.
Është në respektin e kësaj qeverie dhe ministrit të Financave të bëjnë një qartësim të shifrave dhe të kërkojne falje publike për manipulimin e mësipërm në faqen e parë të Projekt-buxhetit të 2009-s.
Në rast të kundërt, i vetmi shpëtim për mazhorancën është të lutet që dollari amerikan nuk do të ngrihet deri në zgjedhje, sepse në mënyre ironike do të fshinte brenda natës të gjitha përpjekjet heroike të mazhorancës në luftën e saj për të fryrë kuletën bosh të shqiptarëve nëpër shtëpitë e tyre.
Tabela vijon:
VITI Rritje 6% Rritje 16.2%
1998 890 890
1999 943 1,034
2000 1,000 1,202
2001 1,060 1,396
2002 1,124 1,623
2003 1,191 1,885
2004 1,262 2,191
2005 1,338 2,546
2006 1,419 2,958
2007 1,504 3,438
2008 1,594 3,994