Si do të sillet me Ballkanin administrata e re amerikane?
Administrata e re amerikane, sipas të gjitha gjasave, do të shohë nga Evropa që të jetë forcë drejtuese në Ballkan. Një shkrim në median amerikane, thotë që në informacionet e mëngjesit që i jepen presidentit amerikan, Ballkani përmendet rrallë.
Që kur Kosova shpalli pavarësinë, momenti që tha fjalën e fundit në procesin e gjatë të negociatave që pasuan bombardimet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara e kanë parë punën e tyre në rajon si të realizuar. Dhe, me të drejtë.
Gjatë 12 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë në planin financiar, politik e ushtarak në Ballkan, se Bashkimi Evropian. Dhe, është ky i fundit që e ka Ballkanin në periferi të vet. Për fat të mirë, rajoni nuk ka prodhuar konflikte dhe jostabilitet së fundi.
Kur më 20 janar të 2009-ës, Barack Obama do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë si president, çfarë do të ndryshojë për Ballkanin? Kjo është një pyetje e rëndësishme që do të ndikojë në jetët tona në Tiranë dhe Prishtinë, në muajt e ardhshëm.