Kodi mbërrin në Kuvendin e grevës
Dy partitë e mëdha s’ndryshojnë qëndrim nga drafti i përfunduar i Kodit. LSI-ja e PDK-ja, sot protesta
Konferenca e kryetarëve pritet të marrë sot një vendim. Patozi e Leskaj, parimisht dakord
TIRANË- Në një situatë krejt të pazakontë, pas ditës së 7 të grevës së urisë, 10 deputetët e Kuvendit, do të jenë sot prezent në diskutimin përfundimtar, që Kuvendi pritet t’i bëjë Kodit të ri Zgjedhor, i miratuar pa asnjë ndryshim nga anëtarët e komisionit për reformën zgjedhore. Burime nga dy partitë e mëdha deklaruan dje për gazetën se të gjitha gjasat janë që sot në Kuvend të miratohet Kodi i ri Zgjedhor, ndërkoheë që rendi i ditës i parashikuar për diskutimin e projekt-buxhetit për vitin 2009, pritet që të shtyhet për javës tjetër, pas një mbledhjeje urgjente të Konferencës së Kryetarëve. Kjo e fundit pritet të japë vendimin përfundimtar për këtë çështje, edhe pse parimisht është rënë dakord dje mes dy krerëve të grupeve parlamentare, Valentina Leskaj e PS-së dhe Astrit Patozi i PD-së.Gjatë ditës së sotme pritet që të ketë edhe negociata me deputetët grevistë, me qëllim arritjen e një konsensusi përfundimtar, edhe pse gjasat për një gjë të tillë janë shumë të pakta. Dy partitë kryesore ne vend nuk ndryshojnë qëndrim lidhur me përmbajtjen e Kodit të ri Zgjedhor, e po aq edhe deputetët grevistë nga kërkesat e tyre. PD-ja dhe PS-ja synojnë të kalojnë në votim kodin e ri, por greva e urisë e 10 deputeteve, që po zhvillohet prej një jave në sallën e seancave e vështirëson situatën. Kjo sepse një orë para fillimit të seancës, LSI-ja ka paralajmëruar një protestë si asnjë ditë tjetër para Parlamentit, ndërsa PDK-ja ka paralajmëruar fillimin e grevës së urisë nga të gjitha kryesitë e saj nëpër rrethe. Demokristianët e Ndokës në Korçë paralajmëruan dje nisjen e një greve urie, nëse nuk do të ketë reagim për kërkesat e grevistëve në parlamentin shqiptar. Vendimi është marrë mbrëmë pas një mbledhjeje kryesie urgjente, që është organizuar pas rëndimit të gjendjes shëndetësore të deputetëve grevistë. Krahas grevistëve, kundër propozimit të dy partive të mëdha kanë dalë kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo. Ndërkohë që drafti është mbështetur nga dy partitë e tjera të vogla, PR-ja dhe PSD-ja, për sa kohë që secila prej tyre e ka të sigurt përfaqësimin e saj në komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve. Me kalimin e Kodit të ri Zgjedhor pritet që të ketë ndryshime esenciale në përbërjen e KQZ-së. Kjo e fundit merr një status të ri juridik, pasi do të krijohet në bazë të një ligji të veçantë organik dhe jo më me Kushtetutë, ndërsa nuk do të ketë më 9, por 7 anëtarë, të cilët do të zgjidhen me një mandat kohor prej 4 vjetësh. Dy anëtarë do të propozohen nga partia më e madhe e mazhorancës dhe dy anëtarë nga partia më e madhe e opozitës. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidaturat e propozuara nga grupime deputetësh të partive të mazhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të këtij spektri. Anëtari i gjashtë zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancat përkatëse. Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të mazhorancës dhe opozitës. Komisionet e Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), të cilat do të jenë afërsisht 70, do të përbëhen nga 7 anëtarë, të zgjedhur sipas një formule ku, PS-ja dhe PD-ja do të kenë nga dy anëtarë. Anëtari i pestë do të propozohet nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe anëtari i gjashtë nga partia e dytë e spektrit të majtë. Ndërsa anëtari i shtatë do të zgjidhet në gjysmat e KZAZ-ve me propozim të partisë më të madhe të mazhorancës dhe në gjysmat e tjera me propozim të partisë më të madhe të opozitës. E njëjta përbërje dhe formulë kompozimi do të jetë edhe për Komisionet e Qendrave të Votimit
Deputeti i PDK-së, Ymer Tola, i rikthehet grevës së urisë. Deputeti tjetër, Frrok Gjini, nuk ka pranuar ndihmën mjekësore
Prifti: Gjendja e deputetëve grevistë po përkeqësohet
TIRANË- Pas një jave greve të urisë, gjendja e 10 deputetëve të ngujuar në Kuvend sa vjen e rëndohet, edhe pse janë nën monitorimin e plotë të stafit mjekësor.Zëdhënësi i grevës, deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, njoftoi dje mbi gjendjen më të fundit shëndetësore të grevistëve, që, sipas tij, është tepër e rënduar. Në prononcimin e tij për mediat, Prifti dha një panoramë krejt të ndryshme nga ajo e Ministrisë së Shëndetësisë, që njoftoi se gjendja e grevistëve ishte e stabilizuar dhe në gjendje të mirë. Prifti konfirmoi dje se deputeti i PDK-së, Ymer Tola, i është rikthyer grevës, pas disa analizave të domosdoshme që duhet të kryente në spital. Zëdhënësi i grevës deklaroi se gjendja e Tolës është kritike, ndërkohë që grevistët nuk kanë pranuar të bëjnë publike gjendjen e tyre për mediat. “Deputeti Braho, tashmë është pothuajse gjithë kohës i shtrirë, i pamundur për të lëvizur apo pasur ndonjë lloj aktiviteti. Deputeti Gjini është shumë rëndë. Ai, për fat të keq, jashtë këshillave që i kemi dhënë, ka ndërprerë çdo lloj marrëdhënieje, nuk pi as ujë, refuzon ndihmën mjekësore”,- tha dje Prifti, pas takimit që pati me deputetët grevistë. Pikërisht për këtë arsye, deputeti i LSI-së i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Kryeministrit, e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të gjykojnë jo vetëm në interes të politikës së partisë së tyre. “Duhet të reagojnë dhe të mos e zgjasin këtë zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk diskutohet që ka për të ardhur, sepse deputetët pranojnë dhe vdekjen”,- tha dje Prifti.
Përmes një letre publike, përfaqësues të të gjitha fushave i kërkojnë Presidentit Topi që të ndërhyjë për një zgjidhje politike
Grevistët: Pas Kodit, greva do të vazhdojë
TIRANË- “Kodi mund të kalojë, por greva vazhdon. Problemi nuk është i zgjidhur”. Kështu ka deklaruar dje deputeti i LSI-së dhe njëkohësisht zëdhënësi i 10 deputetëve të ngujuar, Dritan Prifti, teksa është pyetur mbi qëndrimin e mëtejshëm të grevistëve në rast se Kodi i ri Zgjedhor do të kalojë sot për miratim në Kuvend. E njëjta përgjigje vjen edhe nga kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, një prej deputetëve grevistë. “Kodi i ri zgjedhor, duhet të jetë gjithpërfshirës dhe të shoqërohet nga një transparencë e plotë. Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë grevën tonë deri ne fund”,- tha dje Ndoka, i pyetur pikërisht për këtë çështje. Po sot në orën 16.00,është paralajmëruar publikisht një protestë nga ana e LSI-së. Nën moton: “Mbro votën tënde. Vota është e shenjtë”, protestuesit do të mblidhen sot para Kuvendit, një orë para fillimit të punimeve, ku pritet të kalohet edhe Kodi i ri Zgjedhor.
Letra e intelektualëve
Në mbështetje të grevës së urisë së 10 deputetëve të Kuvendit, dje, një grup intelektualësh, pedagogësh, gazetarësh, artistësh, njerëz të kulturës e letrave, i janë drejtuar përmes një letre të hapur Presidentit të Republikës, Topi, Kryeministrit Berisha, kryetares së Kuvendit Topalli, liderit të opozitës Rama, por edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend. Në letër ndër të tjera thuhet se ata mbështesin qëllimin e grevës së urisë së 10 deputetëve të parlamentit shqiptar për të hartuar një Kod Zgjedhor të gjithëpërfshirjes dhe të mundësive të barabarta të partive politike në konkurrimet zgjedhore, të sanksionuar edhe në dokumente themelore të OSBE-së.
Kërkesa
“Ju kërkojmë ju, zoti President, si përfaqësues mbipartiak i Unitetit të Popullit, dhe si garantues i zbatimit të Kushtetutës së këtij vendi, të angazhoheni për të gjetur një zgjidhje për këtë krizë politike, në përputhje me frymën e lirive e të drejtave të sanksionuara në Ligjin Themelor të Shtetit. I kërkojmë partive politike, veçanërisht PD-së e PS-së, të tregohen të përgjegjshme se garantimi i së drejtës, vlerës dhe barazisë së votës së qytetareve është detyrim i tyre ndaj qytetarëve, dhe jo privilegj që e administron politika”,- thuhet në letër. Ndërkohë që thirrje i bëhet edhe komunitetit ndërkombëtar, përfaqësuesve të OSBE/ODIHR-it, BE-së dhe SHBA-së, duke i kërkuar të mbajnë qëndrime të qarta e parimore në drejtim të garantimit të vlerave të gjithëpërfshirjes dhe konkurrimit të barabartë politik, si një e drejtë, vlerë dhe standard themelor për vendet e qytetëruara e demokratike. Letra publike vjen si rezultat i shqetësimit që ata shprehin për zhvillimet aktuale në vend, veçanërisht për krizën politike, si pasojë e mungesës së konsensusit të gjerë për reformën zgjedhore, por edhe dëshirës që procesi i reformës zgjedhore të japë garanci, se zgjedhjet e vitit 2009 do të jenë të lira e të ndershme.
Bylykbashi: Ky komision shmang përfundimisht edhe Dushkun
Ekspertët e Kodit: Pse komisionet duhen me 7 anëtarë
TIRANË- Kërkesat e LSI-së lidhur me përbërjen e komisioneve zgjedhore kanë marrë dje përgjigje nga ekspertët e dy partive të mëdha, në hartimin e Kodit Zgjedhor, Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Damian Gjiknuri i PS-së. Ky i fundit ka deklaruar dje, në një prononcim për mediat para ambienteve të kryesisë së Kuvendit se, raporti i 2007-ës i OSBE-ODIHR-it, flet qartë për zvogëlimin e numrit të komisionerëve, pasi numri i madh i tyre ka sjellë probleme në administrimin e zgjedhjeve. Gjiknuri shtoi se vendimi për numrin 7 të komisionëreve u mor duke pasur parasysh edhe faktin se një praktikë e tillë ka qenë e aplikueshme në Shqipëri përpara ndryshimeve që ju bënë Kodit Zgjedhor në vitin 2006. “Numri 7 ishte i menduar si një numër normal për një organ kolegjial që të funksionojë nga pikëpamja administrative, që do të thotë të ketë një numër të mjaftueshëm njerëzish, që do të debatojnë brenda një organi kolegjial, por mbi të gjitha të marrë edhe vendime. Shtimi i numrit, jo domosdoshmërisht sjell edhe cilësi në vendimmarrje dhe ka sjellë edhe probleme të vazhdueshme në administrimin e zgjedhjeve”, -tha Gjinkuri. Qëndrimit të Gjiknurit, eksperti i PD-së, Oerd Bylykbashi, i ka shtuar edhe një detaj tjetër, sipas të cilit, përmes një përbërjeje të tillë, koha për nxjerrjen e rezultateve do të jetë më e shkurtër, dhe do të ketë stabilitet gjatë procesit. Bylykbashi ka trajtuar gjithashtu një tjetër çështje po aq të rëndësishme, atë të eliminimit të formulës së Dushkut përmes sistemit të ri. “Ky sistem nuk e bën të mundur më këtë, për shkak se subjektet zgjedhore votohen nëpërmjet një vote të vetme nga zgjedhësit. Për rrjedhojë, asnjë parti politike apo kandidat nuk ka interes, që votën e tij ta shpërndajë tek të tjerat, sepse kërkon që të maksimalizojë rezultatin e tij. Për rrjedhojë, Dushku, me këtë sistem, pra me sistemin proporcional, nuk ka mundësi që të aplikohet”,- sqaroi Bylykbashi.