Sot Kodi Zgjedhor shkon në Parlament, aty ku zhvillohet greva
Tiranë-Pritet të jetë e tensionuar seanca e sotme plenare në parlamentin shqiptar. Aty ku 10 deputetë janë ngujuar për Kodin Zgjedhor, sot kolegët e tyre do të votojnë për këtë kod.
Një ditë krejtësisht e pazakontë kjo, kur forca e kartonave e ka humbur fuqinë dhe në vend të tyre është vendosur greva. Burime nga dy partitë e mëdha deklaruan dje se sot në Kuvend do të miratohet Kodi i ri Zgjedhor, ndërkoheë që rendi i ditës i parashikuar për diskutimin e projekt-buxhetit për vitin 2009, pritet që të shtyhet për javës tjetër, pas një mbledhjeje urgjente të Konferencës së Kryetarëve.
Dy partitë kryesore ne vend nuk ndryshojnë qëndrim lidhur me përmbajtjen e Kodit të ri Zgjedhor, e po aq edhe deputetët grevistë nga kërkesat e tyre. PD-ja dhe PS-ja synojnë të kalojnë në votim kodin e ri, por greva e urisë e 10 deputeteve, që po zhvillohet prej një jave në sallën e seancave e vështirëson situatën.
LSI-ja që ka liderin e sa, Ilir Meta në këtë grevë ka paralajmëruar një protestë si asnjë ditë tjetër para Parlamentit, ndërsa PDK-ja ka paralajmëruar fillimin e grevës së urisë nga të gjitha kryesitë e saj nëpër rrethe.