Quo vadis Rusia?
Tri lëvizje taktike diplomatike të Rusisë, gjatë kohëve të fundit, duhen parë dhe analizuar me kujdes, pasi japin disa sinjale të pozicionit rus që po lëviz me ngadalësi, por qartësi drejt objektivave të caktuar. Së pari, fjalimi 45-minutësh në televizionin shtetëror i Presidentit Medvedev, gjatë momentit të votimit për presidentin e SH.B.A-së, ku fitorja e kandidatit Obama, ndonëse paralajmëronte një qasje më miqësore ndaj Moskës, anashkalohej qëllimisht. Për më tepër, vendi që zunë zgjedhjet në Amerikë, në edicionet e lajmeve apo median e shkruar në Rusi, ishte thuajse i papërfillshëm. Së dyti, bash në këto momente, lëvizja e një pjese të arsenalit të raketave drejt Balltikut, si kërcënim i qartë ndaj demokracive të reja të vendeve balltike, plus Polonisë, si kundërbalancë ndaj sistemit antiraketë, sinjalizojnë qartazi një politikë konfrontimi të re, ku Kremlini synon t`i “skërmitë dhëmbët” një presidenti të ri pa përvojë në politikën e jashtme, me shpresën që ai ta ‘hajë’ presionin dhe t`i përkulet vullnetit të imponuar në të ardhmen.
Dhe së treti, kemi vendimin e ri, për të kaluar thuajse me urgjencë, propozimin e Medvedevit për zgjatjen e mandatit presidencial në gjashtë vjet, nga katër që është aktualisht, që ka çuar drejt spekullimit që shefi real i Kremlinit, Kryeministri Putin, synon të kthehet sa më shpejt në drejtimin, edhe de jure të vendit, duke marrë postin e presidentit edhe për dy mandate të tjerë. Disa analistë po spekullojnë ndërkohë, se kjo mund t`i hapë rrugë Putinit të rikthehet si president, duke filluar që nga kjo pranverë, duke qenë se mund të shfrytëzojë alibinë e një referendumi për ndryshimet kushtetuese për zgjedhje të parakohshme.
Këto sinjalizime duhen marrë seriozisht, pasi parathonë një kurs, ndoshta edhe më radikal të Rusisë në konfrontimin e saj, tashmë jo më ideologjik me Perëndimin dhe sidomos Shtetet e Bashkuara, por më tepër një politikë agresive e bazuar në sferat e influencës që Rusia i konsideron të sajat për arsye ‘natyrale’ si, mbrojtja e kufinjve të jashtëm të saj, apo thjesht edhe një dëshirë për t`u rikthyer si një fuqi botërore në skenën globale. Po të shohësh hapat inkrementalë që ka ndërmarrë Putini nga koha që ka qenë një Kryeministër i pushtetshëm në vitet e fundit të Jelcinit, deri në ditët e sotme, sheh një logjikë të ftohtë pragmatiste që synonte një katapultim të Rusisë së dobët dhe me probleme të pasluftës së Ftohtë, me një ideologji në dukje liberale, por përsëri autokratike, të korruptuar dhe të bazuar në një sistemi nepotik dhe kleptokrit drejt një Rusie që do ishte një ‘klonim’ i Bashkimit Sovjetik në ditët më të mira të tij.
Se çfarë konkretisht synon të arrijë Rusia e Putinit, që është dukshëm e përforcuar, krahasuar me atë të një dekade më parë dhe që po rimilitarizohet, për të mos folur edhe për një rikthim të qartë drejt autokratizmit, ku institucionet e ‘pavarura’ shërbejnë vetëm për fasadë, kjo nuk dallohet me lehtësi. Disa hipoteza mund të jenë, një dëshirë për të kapitalizuar gjithnjë e më tepër, bazuar në burimet natyrore, duke u munduar të kontrollojë tregjet, qoftë edhe nëpërmjet kontrollit të drejtëpërdrejtë të pikave strategjike të udhëkalimit. Në këtë mënyrë, Evropa do jetë e varur ekonomikisht nga një Rusi, e cila kontrollon jo vetëm një pjesë të mirë të rezervave të naftës dhe gazit natyror që shërben për të furnizuar kontinentin ‘plakë’, por në njëfarë mënyre edhe impotente për t`iu kundërvënë politikisht ‘ariut’ rus, në rast konflikti interesash, pikërisht për shkak të kësaj varësie. Vendet e BE-së janë të ndërgjegjshme për këtë dhe kjo qe edhe arsyeja se pse në një nga samitet e fundit, u diskutuan ulja e varësisë energjitike nga Rusia në mënyrë të vazhdueshme, deri në gjysmën e nevojave aktuale gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm.
Një arsye tjetër mund të jetë edhe mbajtja në nivele të larta e popullaritetit në politikën e brendshme të vetë Putinit, që gëzon jo vetëm një fuqi të paprecedent, por edhe një nivel mjaft të lartë mbështetjeje në opinionin publik, çka është normalisht një anomali në një demokraci përfaqësuese, sado formale. Vitet në pushtet, zakonisht kanë aftësinë ta bëjnë një lider, sado të suksesshëm, të humbasë suportin publik dhe kjo ka ndodhur edhe me liderë të tillë të përmasave botërore si, Çurcilli, i cili humbi zgjedhjet bash në momentet më të suksesshme të tij në politikën e jashtme. Por, ruajtja e vazhdueshme e popullaritetit të Putinit e ka një shpjegim logjik dhe jo vetëm bazuar në faktin që situata ekonomike e rusëve është dukshëm më e përmisuar se gjatë kohës ‘rrumpallë’ të Jelcinit apo se ata janë një popull i pamësuar me demokraci, sikundër mund t`ia priste shkurt ndonjë vëzhgues i nxituar perëndimor. Retorika nacionaliste e Putinit, e përforcuar me një lloj thjeshtësie stili personal që e bën atë të shfaqet si një punëtor i palodhur për interesin kombëtar të vendit të tij, e kombinuar natyrisht me rikthimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale të bashkëkombasve të tij dhe rikthimin e krenarisë së dikurshme në raport me të tretët, ka ndihmuar jo pak në popullaritetin e tij. Një popullaritet që mund të vazhdojë të mbahet i tillë vetëm nëpërmjet vazhdimit me stilin e deritanishëm, i cili nënkupton që është pikërisht ai që është në kontroll të plotë dhe që dikton rregullat e lojës. Sikundër thotë Mikhail Fishman, botues i një të përjavshmeje në Moskë, “Putini është lideri më i rëndësishëm rus që nga koha e Stalinit. Çfarë ai thotë, duhet bërë. Kjo situatë nuk ka qenë kështu as në kohën e Jeltcinit, as në të Gorbaçovit, madje as në atë të Brezhnjevit”.
Është ende herët të thuhet me saktësi nëse është vullneti i një individi, apo ngritja e një nomeklature të re në Kremlin ajo që loz një rol parësor në diktimin e kursit të politikës së jashtme ruse, apo se në ç`drejtim mund të shkojë në të ardhmen e afërt dhe sa kërcënuese mund të bëhet. Ajo që tashmë dihet, është se nuk ka për të qenë aq e lehtë për SHBA-në, të imponojë vullnetin unilateral që ia mundësoi qënia si hegjemon i vetëm, për më tepër se një dekadë pas shembjes së regjimit komunist në Evropën Lindore dhe diktimi i vullnetit të saj për një botë më të lirë, paqësore dhe të sigurt. Tashmë i duhet të kalkulojë një rezistencë përherë e më të madhe që vjen nga i ‘ftohti’ rus dhe të rakordojë më efektshëm veprimet me aletatët tradicionalë. Si shqiptarë, ne e kemi parë gjithnjë veten qartësisht në anën e Perëndimit, ku Amerika udhëheq dhe kjo shpjegon edhe entuziamin me të cilin u ndoqën zgjedhjet amerikane në vend, i paprecedent në rajon dhe më gjerë për nga mbulimi mediatik dhe interesi që gjeneroi.