E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2009 i Tiranës "miratohet" në parim

Me tone të larta dhe një temperaturë përvëluese është mbyllur mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që sërish nuk ka mundur t‘i japë votat kaluese dokumentit më të rëndësishëm financiar kryeqytetas, pasi kryetari i këshillit e ka cilësuar të pavlefshëm votimin e kryer. Në votimin parë për të miratuar në parim buxhetin bashkiak 2009, ai e ka kaluar provën duke marrë plot 29 vota. Menjëherë më pas reagimi i demokratëve dhe LSI-së ka bërë që salla të pushtohet nga një ilaritet i fortë dhe të kërkohet anulimi i këtij votimi. Në një raund të dytë ngritjesh kartonësh buxheti mori në parim 26 vota. Sërish demokratët dhe LSI kanë mbetur të pakënaqur. Surpriza e mbledhjes ka qenë votimi pro këtij dokumenti i të djathtit të LZHK-së, Armando Ruço i cili deklaroi hapur votën pro miratimit në parim të buxhetit. Gjithsesi, kreu i këshillit bashkiak LSI-sti, Sokol Dervishaj, është shprehur në momentet e fundit të mbledhjes se buxheti nuk u miratua, pasi votimi nuk konsiderohet i vlefshëm. Ai është shprehur se do të njoftohet këshilli për mbledhjen e radhës.

Në një mbledhje të gjatë, ku ka qenë prezent edhe kryebashkiaku Edi Rama, këshilltarët e LSI-së dhe të PD-së kanë kundërshtuar sërish buxhetin e 2009-ës për Tiranën. Ata kanë kërkuar që aty të pasqyrohet lista e plotë dhe e detajuar e investimeve të këtij viti, ku përkrah çdo emri të vendoset edhe kostoja financiare. Këshilltarët demokratë të përfaqësuar gjatë gjithë mbledhjes prej Ferdinand Ponit kanë propozuar që në buxhet të reflektohen edhe një seri ndryshimesh si shkurtime të fondeve të shpenzimeve operative dhe ato për administratën, në mënyrë që këto para të transferohen për investime publike, gjithmonë të listuara qartë dhe në mënyrë transparente. Që në fillim të mbledhjes kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka theksuar se ata që e kanë rrëzuar dy herë këtë buxhet nuk e kanë lexuar aspak atë, por edhe nëse e kanë bërë këtë e deformojnë qëllimisht. Rama në fjalën e tij i është përgjigjur njëra pas tjetrës akuzave të ngritura gjatë kësaj periudhe për abuzime me fondet në buxhetin bashkiak të Tiranës për 2009-ën. Ai ka marrë rast pas rasti emrat e rrugëve dhe të shkollave, për të cilat këshilltarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh se kanë përfunduar dhe janë vendosur sërish në buxhetin e këtij viti. Rama tha se në buxhet janë dy lloje projektesh, një vjeçare dhe dy vjeçare, një praktikë kjo normale, që e përdor edhe qeveria qendrore me buxhetin e saj. Lidhur me projektet një vjeçare, Rama sqaroi se ato janë mbyllur sipas parashikimeve, ndërsa për ato që shtrihen në dy vite tha se 40% e tyre janë kryer dhe pjesa tjetër është përfshirë në buxhetin e 2009-ës. Po kështu, Rama u mbrojt edhe nga akuzat për djegien e fondeve të kredive që ka marrë Bashkia e Tiranës duke e konsideruar këtë si një gjë krejtësisht të pamundur.

Një tjetër çështje e debatuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit bashkiak kryeqytetas ka qenë edhe ajo për numrin e administratës dhe shpenzimet për pagat e saj. Sipas Ramës, fondi i pagave në totalin e të gjithë buxhetit bashkiak arrin vetëm në 8% nga 22% që e ka këtë shifër qeveria qendrore. Por këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së e kanë konsideruar si tejet të fryrë numrin prej 756 vetësh në administratën bashkiake. Për këtë Rama ka sqaruar se numri arrin në vetëm 456 vetë, pasi pjesa tjetër është staf i policisë bashkiake. Fondi i komunitetit prej 300 milionë lekësh dhe mënyra se si do të shpenzohet ai është shndërruar në një betejë të vërtetë akuzash dhe kundërakuzash ku nuk kanë munguar as ironitë apo batutat. Këshilltarët oponentë të buxhetit 2009 të Tiranës kanë kërkuar një listë të plotë të investimeve publike që do të kryhen nga bashkia me këtë fond. Ndërkohë që përgjigja e kryetarit të bashkisë ka qenë e prerë: Ai është një fond që unë e kam negociuar me komunitetin dhe e ka votuar komuniteti ndaj dhe mbaj unë përgjegjësi bashkë me administratën time.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›