E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi e Berisha presin kryeparlamentarin e Suedisë

Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha kanë pritur dje kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg. Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi ka vlerësuar pozitivisht nivelin në rritje të bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve tona dhe ka nënvizuar vullnetin për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira, që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Duke bërë një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve në vend, Presidenti Topi theksoi se reformat kushtetuese, zgjedhore dhe ato në drejtësi, mbeten faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Ndërsa Kryeministri Berisha gjatë këtij takimi ka shprehur angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. NATO dhe BE, është shprehur Kryeministri Berisha, janë dy projektet tona madhore, dhe të gjitha përpjekjet tona janë të përqendruara në këto dy projekte.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha është ndalur veçanërisht në reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene të cilat më parë ishin shndërruar në pengesa serioze për procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Kryetari i Parlamentit të Suedisë ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. Ai është shprehur i befasuar nga zhvillimi i shpejtë gjatë këtyre katër viteve të fundit. Suedia, theksoi ai, mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE. Gjithashtu, Kryetari i Parlamentit të Suedisë vlerësoi rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›