Bush mesazh Topit, vlerësohen forcat ushtarake
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë një mesazh nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush, në të cilin shprehet mirënjohja dhe vlerësimi për kontributin e dhënë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë në kuadër të misionit gati pesëvjeçar në Irak. Në mesazh thuhet se "tashmë që forcat ushtarake shqiptare përfundojnë shërbimin e tyre të gjatë në Irak, kam dëshirë të shpreh mirënjohjen e thellë të Shteteve të Bashkuara për qeverinë dhe popullin e Shqipërisë për trupat që vendi juaj ka kontribuar për Forcën Ndërkombëtare në Irak nga prilli i 2003 deri në dhjetor të 2008". Më tej ai shkruan se populli i Shqipërisë duhet të jetë krenar për pjesëmarrjen në ndërmarrjen e suksesshme për të ndihmuar Irakun që të sigurojë lirinë e vet. Unë, thotë në mesazhin e tij ish-presidenti "kam besim që këto lidhje do të forcohen, ndërkohë që Shqipëria zë vendin e saj si anëtare e NATO-s, ndërkohë që qeveritë tona rrisin bashkëpunimin e tyre në shërbim të sigurisë globale, lirisë dhe paqes".