E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria synon të emërojë militantë në administratë

Vendimi i fundit i qeverisë për të shtuar me 1618 persona numrin e punonjësve të administratës shtetërore hasi dje në kundërshtimin e Partisë Socialiste. Në emër të grupit parlamentar, deputeti Blendi Klosi kërkoi të rikthehet për shqyrtim ky vendim që sipas tij ka në thelb punësimin e militantëve. "Doja të ngrija kundërshtinë tonë për vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për punësimin e 1618 punonjësve me kontratë të përkohshme në administratë, vendim ky që i jep mundësi 12 institucioneve kryesore në vend të rrisin organikën e tyre me punonjës shtesë", u shpreh Klosi. Socialistët vlerësojnë se ky vendim i miratuar në nisje të fushatës elektorale, vetëm 145 ditë nga dita e votimit, është shumë shqetësues pasi i jep qeverisë së Sali Berishës, mundësinë të punësojë me qëllime të pastra militante, jashtë çdo kriteri të ligjit të shërbimit civil 1600 militantë të partisë në pushtet. "Ky vendim i qeverisë ‘në dietë‘ të Sali Berishës kërkon, që në kundërshti të plotë me atë çka thotë për shkurtime administrative, të paguajë jashtë ligjit të buxhetit për vitin 2009, plot 1600 punonjës shtesë, të cilët në shumicën e tyre do të jenë punonjës për të rritur shërbimet dhe koston administrative", nënvizoi Klosi. Selia rozë i mëshon idesë se ky vendim në mënyrë të habitshme i shton disa ministrive dhe buxhetit të taksapaguesve një numër të konsiderueshëm, mbi 300 punonjës shërbimi, nga të cilët në mënyrë shumë qesharake 59 pastruese shtesë në Ministrinë e Bujqësisë, apo 57 pastruese shtesë në Ministrinë e Punës. Ky vendim i fundit i qeverisë, insistoi Klosi, i cili kërkon në mënyrë abuzive që administratës së Ministrisë së Punëve Publike t‘i shtohen 800 punonjës për procesin e legalizimeve, bie në kundërshti të plotë me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli si të papajtueshme me Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, ndryshimet në ligjin për legalizimet. Deputeti socialist, Blendi Klosi, u shpreh se ky numër punonjësish do të duhej të administrohej nga pushteti vendor që të kishim përshpejtim të procesit të legalizimeve. Klosi argumentoi se ky vendim bie në kundërshti të plotë me Ligjin e Buxhetit të vitit 2009, nuk merr parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrjes së një sërë kompetencash nga pushteti vendor, është kundër filozofisë së shkurtimeve administrative. "Por dhe më e rëndësishmja kur hartohet me prapaskena të theksuara politike për të punësuar vetëm militantë partiakë", tha Klosi. Bazuar në këto pretendime, grupi parlamentar i PS kërkon me urgjencë, që ky vendim të kthehet e të ripunohet nga Këshilli i Ministrave. Vendimi i qeverisë, që kontestohet nga opozita thotë se numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore të jetë 1618 punonjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›