E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Në prill, Shqipëria me të drejta të plota anëtare e NATO-s

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka siguruar shqiptarët se në prill Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. Kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm, Basha, vjen pas zhvillimeve më të fundit politike në Ballkan ku Sllovenia ka deklaruar se nuk do të firmosë protokollin e NATO-s për Kroacinë dhe meqë këto kalojnë në bllok u hodh ideja se rrezikonte edhe Shqipëria. Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga ministri Basha, i cili ka theksuar se ashtu siç ishte parashikuar, Shqipëria këtë vit do të jetë pjesë e NATO-s me të drejta të plota. Ministri Basha ka theksuar se ecuria e negocimit me vendet e tjera, gjithsej 8 anëtarët të aleancës së Atlantikut të Veriut që mbeten ende për t‘i shkuar në fund procesit. Ai ka theksuar se për qeverinë shqiptare nuk duket të jetë problem as ratifikimi i protokollit prej Parlamentit slloven. Shtyrja e ratifikimit të protokolleve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë u komentua mediatikisht, si fryt i përplasjeve mes qeverisë sllovene dhe asaj kroate. Por burime diplomatike i mëshojnë fort argumentimit se problemet e brendshme të Sllovenisë, mazhorancë-opozitës, që lidhen me mosmiratimin e buxhetit faktik, kanë penalizuar protokollet për anëtarësim në NATO. Një shtyrje gjithsesi me afat të kufizuar duke pasur parasysh se të njëjtat burime pohojnë se krerët e NATO-s dhe SHBA-ve, kanë ushtruar presion pozitiv për mbylljen sa më parë të këtij procesi. Logjika duket do të jetë e njëjtë, të dy protokollet do të votohen dhe ratifikohen në bllok.

Që prej nënshkrimit të protokollit për anëtarësim, vendet anëtare të NATO-s kanë reaguar me shpejtësi domethënëse në ratifikimin e protokollit për Shqipërinë dhe Kroacinë. Një moment që duket ka si bazë vlerësimin e shprehur për reformat e ndërmarra, që garantojnë anëtarësimin e plotë në Samitin e prillit 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›