Buxheti 2009, i sajuar me borxhe

Në total, i gjithë buxheti do të jetë rreth 4,2 miliardë dollarë (382.6 miliardë lekë), me një rritje prej 6,2 për qind.
Projektbuxheti ka mbërritur në qeveri, e cila pritet ta miratojë të mërkurën që vjen, ndërkohë Kryeministri Berisha është njohur me draftin në mbledhjen e datës 23 tetor të Komitetit të Planifikimit Strategjik.
Në projektbuxhet janë të parashikuara të gjitha shpenzimet, fondet që do të marrin ministritë, si dhe të gjitha institucionet.
Në krahasim me buxhetin suplementar të vitit 2008, projekti i parashikuar nga Ministria e Financave konsiston në shtimin e rreth 250 milionë dollarëve për 2009-ën, por që, në fakt, një pjesë e tyre do të sigurohet përmes borxhit.
Investimet
Ndryshe nga viti i kaluar, investimet për 2009-ën do të pësojnë ulje në masën e 60 milionë dollarëve. Në projektbuxhet është parashikuar një nivel investimi në masën e 940 milionë dollarëve, ku 400 milionë dollarë janë siguruar direkt nga arka e shtetit, ndërsa diferenca do të merret hua nga donatorët, ose bankat tregtare.
Ashtu si në dy vitet e kaluara, Rrëshen-Kalimash do të “rrëmbejë” pjesën më të madhe të buxhetit për investimet publike, që për 2009-ën, është parashikuar një fond që shkon në 350 milionë dollarë.
Shuma e barasvlershme sa për tetë ministri. Sipas draftit të ministrisë, i miratuar në parim në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik, shpërndarja e investimeve të brendshme është bërë në përparësi me sektorët prioritarë si arsim, shëndetësi, infrastrukturë, por edhe mbrojtja, në kuadrin e anëtarësimit në NATO.
Kjo e fundit do të ketë 2 për qind të PPB-së në buxhet, ose rreth 250 milionë dollarë.
Borxhi
Ideja për të marrë borxh nga bankat e huaja tregtare është hedhur me kohë nga Ministria e Financave, në mënyrë që t’u japi hov investimeve publike, sidomos atyre projekteve të nisura me kohë.
Aktualisht nuk është bërë ende e qartë se cili do të jetë institucioni bankar që do të mundësojë financimin e shumës prej 350 milionë dollarë, por plani i Financave mbetet për hedhjen në tregun e eurobonove një letër me vlerë 250-300 milionë euro, rezultati i të cilës pritet në finalizohet në fillim të 2009.
Për vitin 2008, niveli i fondeve me burim të huaj preku vlerën e rreth 500 milionë dollarëve, duke ngjallur pakënaqësi në radhët e FMN-së.
Aktualisht, ky zë për vitin 2009 është parashikuar të shtohet me 100 milionë të tjera, ndërsa deficiti buxhetor pëson ulje, duke “kënaqur” kësaj here FMN, misioni i të cilës mbërrin në fillim të nëntorit në Tiranë.
Shpenzimet
Deficiti buxhetor për vitin 2009 do të jetë 4,2 për qind nga 5,2 për qind që ishte në 2008, ose rreth 80 milionë dollarë më pak.
I gjithë buxheti i vitit 2009 zë rreth 32,4 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa shpenzimet korrente pësojnë rritje me 8,8 për qind, kurse shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes rriten me 22.5 për qind (përkatësisht në total 3 miliardë dollarë dhe 400 milionë dollarë).