Përleshje për tokat në derën e gjykatës së Tiranës
Anëtarët e dy familjeve që kishin konflikt pronësie janë përleshur dje para gjykatës. Babë e bir përfunduan në Spitalin Ushtarak me dëmtimeve të shumta nga goditjet me grushte, shkelma dhe mjete të forta. Policia shpall në kërkim autorët.
TIRANE- Konfliktet për motive pronësie kanë shkaktuar një përleshje të vërtetë mes dy familjeve, Tresa dhe Harizi në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orën 9:30 të mëngjesit të djeshëm, në rrugën “Gjergj Fishta”, në Tiranë. Të dyja palët shkonin për t’u paraqitur në seancën gjyqësore për pretendimet e pronësisë në Gjykatën e Faktit. Vetëm 20 metra larg derës së gjykatës, Petrit dhe Shpëtim Tresa, babë e bir, respektivisht 52 dhe 30 vjeç, janë sulmuar nga Luan, Aleksandër dhe Vladimir Harizi, që të tre vëllezër. Babë e bir kanë përfunduar në Spitalin Ushtarak si pasojë e dëmtimeve të shumta të pësuara nga goditjet me grushte, shkelma dhe mjete të forta. Sipas mjekëve të spitalit, Shpëtimi është në gjendje mjaft të rëndë, megjithëse mjekët arritën ta mbanin në parametrat jetësorë. Policia shpalli të kërkim tre vëllezërit Harizi, të dyshuar kryesor për autorësinë e ngjarjes.
Ngjarja
Petrit Tresa së bashku me të birin, Shpëtimin ishin duke shkuar në Gjykatën e Tiranës, për të qenë të pranishëm në seancën gjyqësore për pretendimet mbi të njëjtën pasuri që ata kanë me familjen Harizi. Ata janë ndeshur në hyrje të oborrit të gjykatës me vëllezërit Harizi, ku kanë nisur të debatojnë. Klientët e shumtë të lokaleve të pallatit shumëkatësh që gjendet në krah të gjykatës janë bërë dëshmitarë të përleshjesh me gushte dhe drunj. Pasi i kanë lënë gati pa ndjenja në mes të rrugës, autorët kanë mundur të largohen të pashqetësuar nga njeri. Petriti me të birin janë dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak, ku deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme gjendeshin nën terapinë intensive të mjekëve në repartin e reanimacionit.
Policia
Me të marrë sinjalizimin përkatës, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbime të shumta nga Komisariati numër 2 i Policisë së Tiranës, si dhe oficerë të seksionit të krimeve kundër jetës dhe departamentit të hetimit të krimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Pasi është mundësuar marrja e dëshmisë së Petrit Tresës në Spitalin Ushtarak dhe dëshmive të personave të tjerë të gjendur në vendngjarje, policia konkludoi se ngjarja kishte ardhur si pasojë e grindjes së shkaktuar nga konfliktet e pronësisë. Policia deklaroi shpalljen në kërkim të tre vëllezërve; Luan, Aleksandër dhe Vladimir Harizi.
Konflikti
Në fakt, konflikti i pronësisë mes familjeve Tresa dhe Harizi është i vjetër në fshatin Baldushk të Tiranës. Vetëm dy javë më parë, shërbimet e Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës kishin shoqëruar Shpëtim Tresën, 30 vjeç. Ky i fundit akuzohej se kishte kanosur për shkak të konfliktimeve për pronat, babanë e tre vëllezërve Harizi. Tresa ishte lënë i lirë, ndërsa policia ia kishte referuar çështjen për veprime të mëtejshme hetimore për akuzën e kanosjes, prokurorisë së rrethit. Ndërkohë, në gjykatë vazhdonte përballja ligjore mes dy familjeve për çështjet e pronësisë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)