Nishani kërkon 500 policë për kufirin

Por kërkesa është hedhur poshtë nga Ministria e Financave. Motivimi i mosmiratimit të saj nga Ministria e Financave ka të bëjë me rritjen e buxhetit për forcat e rendit.
Sipas të dhënave zyrtare, pak kohë më parë, Ministria e Brendshme ka kërkuar nga Ministria e Financave që të marrë parasysh në projektbuxhetin e vitit 2009 edhe 500 punonjës të tjerë të policisë.
Ministria e Brendshme ka argumentuar se këta punonjës do të jenë në shërbim të departamentit të kufirit, i cili është bërë një ndër më të rëndësishmit me strukturën e re të Policisë së Shtetit.
Por, kjo kërkesë vjen pas largimit të pothuajse dymijë punonjësve të policisë, me qëllim reduktimin e numrit të uniformave blu sipas standardeve të kërkuara për policinë shqiptare.
Megjithatë, Ministria e Brendshme ka argumentuar në këtë kërkesë se 500 punonjësit e policisë do të kalojnë në Departamentin e Kufirit, duke u mbështetur edhe në qëndrimin “e hekurt” të qeverisë aktuale për luftën ndaj trafiqeve të paligjshme.
Mbi këtë aspekt, duke u ndalur edhe te moratoriumi i skafeve, ministri Nishani kishte ngritur më parë edhe shqetësimin se policia shqiptare nuk ka kapacitetet e duhura për të mbrojtur kufirin, qoftë nga ana teknike, por edhe nga numri i punonjësve të mbrojtjes së vijës bregdetare.
Kërkesa është marrë në shqyrtim nga Ministria e Financave, e cila ka vendosur që mos të ketë rritje të buxhetit për policinë shqiptare dhe nuk e ka miratuar një propozim të tillë.
Një vendim i tillë bie në sy edhe në projektbuxhetin për vitin 2009. Ndër të tjera, në projektbuxhetin e vitit 2009, Ministria e Financave ka deklaruar se në total për institucionet buxhetore për 2009-ën, kërkesat shtesë të numrit të punonjësve janë 3120, pa përfshirë këtu edhe një kërkesë të re të ardhur nga Ministria e Brendshme për 500 punonjës për mbrojtjen e kufirit.
“Në këtë projektbuxhet nuk janë marrë në konsideratë këto kërkesa, për shkak të tejkalimit të numrit në total të punonjësve të parashikuar për vitin 2009 prej 107 mijë punonjës buxhetorë në 108016 punonjës”, citohet në draftin e përgatitur.
Kështu, duke u bazuar në draftin e përgatitur, Ministrisë së Brendshme i janë shtuar vetëm 1.5 miliardë lekë, ndërkohë që kishte kërkuar një rritje prej 8.2 miliardë lekësh.
Sipas draftit, në projektbuxhetin e vitit 2009 është parashikuar se Ministria e Brendshme do të ketë shpenzime në shumën 15 miliardë lekë.
Ndërkohë, me kërkesën për rritjen e numrit të punonjësve të policisë dhe për aspekte të tjera, Ministria e Brendshme kishte kërkuar një shtesë në buxhet rreth 8.2 miliardë lekë.
Megjithatë, Ministria e Financave i ka akorduar një buxhet, në vlerë totale prej 16.5 miliardë lekësh. Pavarësisht se Ministria e Brendshme është konsideruar si një ndër më të rëndësishmet, problemet nuk do të kenë zgjidhje.
Një ndër këto probleme, dhe më i rëndësishmi, është ai i rritjes së numrit të policëve për mbrojtjen e kufirit, nga të cilët janë shënuar goditjet e shumë linjave trafiku, ku në disa raste janë shënuar edhe pasoja të rënda.