E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët dhe fermerët, si përfitojnë pension

“Blerja” e vjetërsisë në punë dhe vetësigurimi nuk vlejnë vetëm për të përfituar një pension, por edhe për të shtuar përfitimin në para në kohën e daljes në pension.

Në rastin e emigrantëve, fermerëve, kur gjendemi të papunë, apo kur jemi në prag të pensionit, na ndihmon vetësigurimi, apo pagesat e prapambetura të sigurimeve shoqërore.

Për t’iu ardhur në ndihmë emigrantëve, fermerëve, si dhe qytetarëve, që janë më afër moshës së pensionit, kemi marrë në shqyrtim dy raste konkrete të problematikave të përmbushjes së moshës së pensionit, duke e shoqëruar me shpjegimin e drejtorit të kontributeve pranë ISSH-së.

Emigrantët shqiptarë, që kanë punuar në Shqipëri, nuk i shkojnë dëm kontributet e paguara gjatë kohës së punës.

Por që të marrin një përfitim në formën e pensionit, duhet të përmbushin kërkesat sipas legjislacionit në fuqi.

Pensioni i llogaritet secilit në bazë të profesionit, vështirësisë së punës, shkallës së kontributeve, vjetërsisë në punë dhe moshës.

Që të përfitosh pension duhet që patjetër të mbushet mosha e kërkuar për të dalë në pension, e cila llogaritet me ditëlindjen dhe vitin e parashikuar për të lënë punën dhe për të marrë përfitimin.

Në rastin e fermerëve, apo siç quhen ndryshe të të vetëpunësuarve në bujqësi, masa e pagesës vjetore është 12 mijë lekë për sigurimet shoqërore dhe 3360 lekë për sigurimin shëndetësor.

Me këtë sigurim përfitohen të njëjtat përfitime që merr një i vetëpunësuar në qytet, të gjitha llojet e pensioneve, pension pleqërie, invaliditeti, familjar, sigurim shëndetësor falas, rimbursim ilaçesh.

Për gratë përfitohet leje lindjeje. Në rastin e emigrantëve, të cilët nuk kanë vjetërsinë e nevojshme të punës as për një pension të pjesshëm, Drejtoria e Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore sugjeron plotësimin e vjetërsisë në vite me anë të pagesës vullnetare.

Për të siguruar një pension të pjesshëm, kërkohet një vjetërsi në punë kontributive prej jo me pak se 15 vite.

Për të përfituar pension të plotë, do t’ju kërkohet një vjetërsi në punë prej 35 vite. Sipas specialistëve të Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, për të marrë një pension të plotë, ose për të rritur masën e pensionit, mund të paguani sipas skemës vullnetare të sigurimit shoqëror.

Aktualisht, masa mujore e pagesës për sigurimin vullnetar është 3544 lekë.

Për personat që janë të paaftë për punë, për të përfituar pension invaliditeti, duhet të ekzaminoheni në institucionet shëndetësore në Shqipëri dhe duhet t’i nënshtroheni komisionit mjekësor të caktimit të aftësisë për punë, që funksionon në çdo Agjenci të Sigurimeve Shoqërore.

Në rastin e humbjes së librezës së punës mund t’ju ndihmojë Instituti i Sigurimeve Shoqërore për konfirmimin e vjetërsisë, sipas deklarimeve që do të bëhen nga i interesuari.

Në rast se emigrantët nuk mund të vijnë pranë agjencive të ISSH-së atëherë me një prokurë të posaçme mund t’ia ngarkojë këtë punë një të afërmi.  Lorina Mixha  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›