E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, Tirana pa energji elektrike

Nga ora 06.00 deri në 17.00, pjesa më e madhe e kryeqytetit nuk do të furnizohet me energji elektrike. Shkak për këtë do të bëhet stakimi i linjës 110 kv, Tiranë-ish-Kombinati i Autotraktorëve.

Një informacion i tillë bëhet i ditur nga përfaqësuesit zyrtarë të OSSH-së, “për shkak të marrëdhënies direkte të kompanisë me konsumatorin”.

Nga stakimi i kësaj linje mësohet se do të preken nga ndërprerjet e energjisë elektrike për gjatë thuajse të gjithë ditës, banorët e zonave që gjenden në rrugën “Ali Demi”, Rrugën e Elbasanit, zonën e Unazës, territori tek Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Policisë. Pa drita do të mbetet edhe Qyteti Studenti,

zonat pranë Urës së Tabakëve. Por nuk do të kursehet as qendra. Kështu, nga ndërprerjet e sotme të energjisë elektrike preket edhe një pjesë e rrugës “Myslym Shyri”, për t’u ndjekur nga zona e Bërrylit, rruga “Bardhyl”, deri lart në zonën e Porcelanit.

Të njëjtin fat do të kenë edhe banorët e bizneset që gjenden në Farkë. Ndërkohë që po sot, OST bën të ditur se do të kryejë remontin e çelësit 35 kv të linjës që furnizon nënstacionin e Uzinës Dinamo.

Për këtë shkak, pohojnë përfaqësuesit zyrtarë të kësaj kompanie do të mbeten pa energji elektrike nga ora 09.00 deri më 15.00 rruga “Jordan Misja”, “Siri Kodra”, por edhe Bregu i Lumit, zona pranë Uzinës Dinamo.

Në skemën e “ndezjes së gjeneratorëve” për ditën e sotme nuk ka mundur të mbetet jashtë as periferia që rrethon kryeqytetin. Kështu, pa drita do të jenë sot në pjesën më të madhe të ditës edhe Lapraka, Bathorja, Babrruja, Paskuqani, si dhe Zallherri.

Por lajmi i ndërprerjeve të energjisë elektrike e ka kapërcyer kufirin kryeqytetas. Ai do të shtrihet nga Shqipëria Qendrore në atë të Jugut dhe jo pak, por për pesë ditë me radhë.

Përfaqësuesit zyrtarë të OST-së kanë njoftuar se nga datat 28 tetor – 1 nëntor do të kryejnë remontin e linjës 220 kv, Tiranë- Rrashbull - Fier. Sipas tyre, gjatë këtyre pesë ditëve do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në Durrës, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, si dhe në zonat në jug të vendit, duke nisur nga Lushnja, Fieri, Vlora, Berati dhe Saranda. A.Rr.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›