E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit kërkojnë kontrata të reja në 2009-n

Ndërtuesit: Të rimbursohet rritja e çmimit të hekurit dhe naftës

Shoqata, një paketë propozimesh për qeverinë

Çmimi i hekurit dhe ai naftës janë rritur gjatë vitit 2008 dhe kjo ka bërë që të rritet ndjeshëm kostoja e ndërtimit. Ndërkohë ndërtuesit po punojnë me kontrata të nënshkruara me qeverinë për projekte me fonde publike, të një kohe kur nuk ishin rritur çmimet e disa materiale të ndërtimit. Për këtë arsye, ata kërkojnë që qeveria të rimbursojë rritjen e çmimit të disa materiale të ndërtimit. Nga ana tjetër, ndërtuesit i kërkojnë qeverisë që në vitin 2009 të hartohen kontrata të reja për punimet në infrastrukturë. Në kontratat e reja, ndërtuesit sugjerojnë që të merren parasysh jo vetëm interesat e qeverisë, por edhe të kompanive private. Në këtë simpozium merrnin pjesë anëtarë të shoqatës, të ftuar nga shoqata të tjerë dhe nga institucionet shtetërore. Tema e këtij simpoziumi ishte “Zhvillimet e fundit në infrastrukturë, përshtatja me kërkesat e kohës”. Në këtë simpozium u mbajtën disa referate, nga z. Ernest Ndoka, zv.ministër i PPTT, z. Andi Toma, drejtori i DPRR, Refit Korbeci, ndërtues, Faruk Kaba, projektues, Artan Shkreli President i Shoqatës së Arkitektëve etj. Në mes të tjerave u vu theksi në rritjen e cilësisë në të gjithë komponentët që marrin pjesë në ndërtimin e një rruge dhe shërbimi me standarde të larta nga ana e organizmave shtetërore. Këto kërkesa janë ripërsëritur dje në simpoziumin e dytë të ndërtuesve, të organizuar në “Ditën e ndërtuesve”. Folësit thanë se duhen edhe në vitet e ardhshme që investimet në rrugë të zënë vendin kryesor deri sa Shqipëria të përfundojë jo vetëm arteriet kryesore që lidhin vendin, por edhe vendin tonë me fqinjët dhe arteriet panevropiane deri sa çdo fshat i vendit të lidhet me rrugë të asfaltuar ashtu siç i ka gjithë Evropa. Futja teknike dhe e teknologjive të reja ka bërë që ndërtimi të ketë një përmirësim të madh cilësor, sot tek ne ka disa ndërtime të parametrave evropianë. Vëmë re se mbas vitit 2000 kemi përmirësime edhe në projektimin dhe ndërtimin e rrugëve, por na duhet akoma shumë punë për t’u përafruar me standardet evropiane. Në fund të simpoziumit u propozuan disa rekomandime, qëllimi i të cilave është që të gjithë institucionet e interesuara për përmirësimin e punës në studimin, projektimin dhe ndërtimin e rrugëve të japin kontributin e tyre konkret për zgjidhjen e problemeve që ngrihen.

Rekomandimet e ndërtuesve për qeverinë

Në këtë takim u rekomandua që Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, Shoqata e Inxhinierëve Konsulentë, Shoqata e Arkitektëve në bashkëpunim me specialistë të Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit brenda muajit nëntor 2008 të dërgojnë në Ministrinë e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit propozimin me shkrim për tarifën e pagesës për studimin, projektimin, supervizionin dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit për të zëvendësuar VKM e vitit 1994, në mënyrë që për vitin 2009 të punohet me tarifat e reja, të përafërta me ato të KE-së. Ndërtuesit propozuan ngritjen e një qendre studimore shkencore që do merret me prognozë, hartimin e masterplaneve, termat e referencës, oponencën e projekteve të hartuara etj. Kjo qendër do të jetë mbështetja kryesore për agjencinë kombëtare të rrugëve dhe patjetër do ketë suportin e saj. Ata propozuan dhe mënyrat. Janë tre mënyrat për ngritjen e kësaj qendre: 1. shtetërore, 2. publike dhe private. Ndërtuesit rekomanduan rritjen e rolit dhe përgjegjësisë së supervizionit për zbatimin e projektit dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha që dalin gjatë zbatimit. Ndaj propozuan që supervizioni t’u jepet vetëm firmave konsulente (pra personave juridikë); supervizioni të ketë kompetencë për të realizuar ndryshimet e nevojshme brenda fondit rezervë, pa pasur nevoje për miratimin paraprak të këshillit teknik të DPR. Miratimi i të gjithë ndryshime në KT të DPR të behet vetëm një herë në prag të përfundimit të objektit. Ata kërkuan që ndryshimet që duhen fonde mbi ato të planifikuarat, patjetër duhet të miratohen paraprakisht ne DPR. Propozim tjetër ishte që dhënia e supervizionit të behet me përzgjedhje duke pasur parasysh stafin, përvojën dhe rezultatet që kanë pas në punë. Ata kërkuan që n punën që do të bëjë Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për transformimin e DPR-së në Agjenci Kombëtare të Rrugëve është mirë të marrë dhe mendimet e komunitetit projektues dhe ndërtues të rrugëve. U kërkua që Agjencia e Prokurimit Publik brenda vitit të rishikojë vërejtët dhe propozimet që janë bërë nga shoqatat tona, për aktet nënligjore të prokurimit. Nga një takim i përbashkët ato vërejtje që janë të drejta dhe pranohen nga APP të përfundojnë në VKM që të hyjë në fuqi në vitin 2009. U kërkua që sipas shembullit të marrëveshjes midis SHNSH-së dhe DPT-së çdo fund viti DPR dhe SHNSH të propozojnë paraprakisht çmimet e referencës për vitin pasardhës, të cilat më pas të miratohen nga ministria. U kërkua që projekt–kontrata për projektuesit dhe ndërtuesit duhet të rihartohet duke pasur parasysh Kontratën FIDIC dhe përvojën e grumbulluar. Kontrata duhet të jetë rezultat i punës së përbashkët ndërmjet punëdhënësit (Shteti) dhe punëmarrësit, firmat e projektimit dhe ndërtimit që përfaqësohen nga SHNSH, SHOSHIK dhe SHASH. Për vitin 2009 duhet të punohet me kontratat e reja të hartuara nga të dyja palët. Tjetër kërkesë ishte që rritja e çmimeve e katër materialeve kryesore ka pasur dhe ka një influencë shumë të madhe në rezultatet financiare të firmave që kanë lidhur kontrata me çmimet e vjetra për ndërtimin e rrugëve. Kjo rritje çmimesh nuk është një fenomen lokal, por është rezultat i një krize në shkallë botërore, është rasti që qeveria brenda mundësive që ka, të bëjë një rivlerësim vetëm për naftën, hekurin dhe bitumin etj. U kërkua që të mundësohet dalja e një VKM-je të re, për të kaluar kualifikimin dhe pajisjen me patenta të manovratorëve të makinerive të renda në SHNSH (propozimi i është dërguar Ministrisë).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›