Çmimet e naftës nuk ndryshojnë në tregun shqiptar
Çmimi i naftës ka njohur një qëndrueshmëri në bursë, por kjo nuk ka mjaftuar për grosistët shqiptarë për të ulur çmimin, të cilët mbajnë të njëjtin nivel çmimi kur nafta në bursë arriti kulmin. Premtimi i tyre për të ulur me 5 lekë litrin duket se nuk është zbatuar në terren. Aktualisht, 1 litër naftë shitet mesatarisht me 145 lekë, 1 litër benzinë me 150 lekë, ndërsa 1 litër euro diezel me 155 ose 150 lekë. Përveç çmimit të euro diezelit, i cili ka pasur luhatje të lehta në pak lekë, çmimet e produkteve të tjera nuk kanë njohur uljen. Kjo shpjegohet edhe me rritjen e kërkesës ditën e fundit për shkak të uljes së temperaturave. Grosistët e kanë hedhur fajin diku tjetër për mosuljen e çmimit. Ata kanë kërkuar që çmimet të përcaktohen nga konkurrenca në treg dhe në frenimin e rritjes së tyre mund të ndikonte vetëm qeveria, nëpërmjet vendosjes së një TVSH-je fikse për litër dhe jo me përqindje, siç është aktualisht. Një tjetër faktor që shihet pengues, është mungesa e prodhimit vendas, edhe pse ARMO-ja mbulon 25 për qind të tregut. Aktivizimi i kompanive private në sektorin e naftës bruto ka rritur ndërkohë prodhimin vendas, si dhe ka shtuar edhe fitimet neto. Prodhimi i naftës bruto në Shqipëri pësoi rritje të konsiderueshme gjatë 6-mujorit të parë të vitit, si pasojë e hyrjes në fazën e prodhimit të disa kompanive të reja që gjatë vitit të kaluar qenë ende në fazën e investimit. Sipas të dhënave në fushën e Patos-Marinzës, e cila është fusha më e rëndësishme naftëmbajtëse e Shqipërisë, prodhimi gjatë tremujorit të dytë të këtij viti arriti në rreth 1 mijë tonë në ditë ose 5800 fuçi. Një vit më parë, prodhimi në këtë fushë qe 5200 fuçi në ditë. Gjatë muajve të fundit, 42 puse ekzistuese janë rivënë në punë. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria prodhoi 560 mijë tonë naftë.