Buxheti 2009, të ardhurat tatimore me 3.2 miliardë lekë humbje
Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet në buxhetin e vitit të kaluar Kriza financiare që përfshiu mbarë globin, preku edhe Shqipërinë, pavarësisht deklarimeve optimiste të pushtetarëve tanë se arritëm ta përballonim me sukses krizën. Qeveria është dorëzuar përballë efekteve që ka dhënë kriza ekonomike, gjatë vitit 2009 duke pranuar tashmë se edhe vendi ynë është prekur si thuajse e gjithë bota. Për të dytën herë Këshilli i Ministrave i kërkon Parlamentit të ndryshojë buxhetin, pasi në arkën e shtetit mungojnë 6.2 miliardë lekë,
më pak nga se kishte parashikuar Ministria e Financave edhe pas rishikimit që ju bë shifrave në shtator të vitet të kaluar. Mosmbledhja e taksave në nivelin e parashikuar është një dëshmi e qartë e tkurrjes së aktivitetit ekonomik në vend, vlerësojnë ekspertët. Sipas Nezir Aldedës, zëvendësministër i Financave, i cili raportoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, rezulton se nuk janë mbledhur taksat nga sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, ndërkohë që edhe të ardhurat tatimore rezultojë me një mosrealizim prej 3.2 miliardë lekë. Por ekspertët janë të mendimit se ndryshimi i buxhetit dy herë brenda vitit ka ndodhur për herë të parë në vitin 1998 dhe u përsërit në 2009, për shkak të paaftësisë së qeverisë për të parashikuar saktë shifrat. Efektet negative të krizës ekonomikë në sistemin fiskal për vitin 2009 janë materializuar zyrtarisht në një akt normativ të qeverisë i cili mori votën parlamentare në komisionin e ekonomisë. Me këtë akt qeveria rishikon shifrat buxhetore për faktin se mosrealizimet në tatime ishin jashtë çdo parashikimi. Akti normativ parashikon rritjen e shpenzimeve për asistencën sociale, shpenzimet e personelit për arsimtarët dhe policinë e burgjeve, si dhe rritjen e investimeve me financim të huaj. Me këto ndryshime defiçiti buxhetor mbetet brenda parametrave 4,6 për qind e prodhimit të brendshëm bruto pa përfshirë të ardhurat nga privatizimet e realizuara në 2009. Rriten investimet me financim të huaj me rreth 3 miliardë lekë dhe pakësohen projektet e planifikuara për investime të brendshme në kontigjencën e investimeve me 4.1 miliardë lekë e cila rezulton e papërdorur deri në fund të 2009. Ulen shpenzimet për ripagesat ose për principalet e kredive të huaja me 0.87 miliardë lekë, ulen të ardhurat tatimore me rreh 6.9 miliardë lekë si rrjedhojë e uljes së të ardhurave nga TVSH me rreth 2 miliardë, nga tatimi i të ardhurave personale me 1 miliardë, nga akciza me 0.2 miliardë, u shpreh Aldeda. Në total mosrealizimi nga sistemi fiskal në vitin 2009 ka rezultuar 6.9 miliard lekë, 3.2 miliardë nga tatimet dhe 3.7 nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Me këtë akt normativ qeveria ka bërë edhe disa rialokime fondesh në fund të vitit 2009. Ky fakt vjen si rrjedhojë e mos pranimit të krizës ekonomike. Gjergj Teneqexhiu, ekspert financash thotë se qeveria duke mos pranuar krizën nuk mundi të parashikojë saktë efektet e saj në ekonominë tonë të brishtë. Sipas tij është e dyta herë që qeveria rrit defiçitin buxhetor, çka e detyroi atë që të bëjë ndryshimet e nevojshme në buxhet, një herë në shtatorë dhe sërish në dhjetor. Por ndryshimet e shifrave të vitit 2009 do të ndikojnë në buxhetin e vitit 2010. Po të shtojmë edhe efektin e dëmshpërblimeve që qeveria do të duhet të paguajë për të përmbyturit e Shkodrës, atëherë Ministria e Financave shumë shpejt do të dërgojë në Parlament edhe ndryshimet në buxhetin e këtij viti. Për anëtarët e komisionit të ekonomisë, pavarësisht mosrealizimit të të ardhurave nga tatimet, vendi ynë dhe qeveria shqiptare arritën që ta përballonin krizën financiare me sa më pak goditje të rënda. Sipas anëtarit të komisionit të ekonomisë Gjok Uldedaj, Shqipëria ishte nja ndër të paktat vende në botë që arriti ta përballonte krizën me sukses, pavarësisht faktit se shifrat e buxhetit të vitit 2009 nuk ishin dhe aq të kënaqshme. Ne po diskutojmë për ndryshimet në buxhetin e vitit 2009, ku unë dua të them se pavarësisht shifrave jo të mira të të ardhurave nga tatimet, Shqipëria është një ndër vendet e pakta që arriti ti bëjë ballë krizës me shumë pak humbje. Gjithashtu dua të theksoj se puna e mirë e qeverisë shqiptare, dhe politikat e duhura fiskale e mbajtën krizën larg nga sektorët e tjerë të rëndësishëm të vendit tonë, u shpreh Uldedaj. Deputetët demokratë miratuan unanimisht ndryshimet e bëra në buxhetin e vitit të kaluar. Taulant Halili
Last Updated on E Hene, 25 Janar 2010 21:40