PD, Mëhilli: Korrupsioni i Ramës zbret Shqipërinë 10 vende
Transparency International botoi dje një raport për indeksin e perceptimit të korrupsionit në Shqipëri për vitin 2009. Përmes tij konstatohet se Shqipëria ka një rënie në krahasim me vitin e kaluar, por PD-ja, përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, informoi shqiptarët se “shkaku kryesor i kësaj rënieje qëndron në Qytezën Rama – Delijorgji me 51 pallate, në praktikën më korruptive në planet të dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës për vitin 2008, ku Rama me Eftimin dhe Shkrelin e vet mori 70% të lejeve të ndërtimit, qëndron në procedurën e stërzgjatur dhe tejet korruptive të marrjes së lejeve në Tiranë, për të cilin Edi Rama renditet i 173-i në botë me afatin rekord 399 ditë”. Sipas znj. Mëhilli, këtu qëndron dhe shkaku kryesor i uljes së pikëve, mbasi lejet e ndërtimit në vlerësimin e korrupsionit kanë peshën specifike më të lartë se të gjitha proceset e tjera. “Fatmirësisht, kjo praktikë korruptive merr fund dhe Shqipëria do të ngjisë me shpejtësi shkallët e suksesit, mbasi në muajt e ardhshëm hyn në fuqi “Ligji i ri i urbanistikës” që përcakton afatin 45-ditor për dhënien e një leje dhe parimin “heshtja është miratim”. Kështu do të bjerë në këtë mënyrë edhe kështjella e fundit e korrupsionit në Shqipëri, që është Bashkia e Tiranës”, - deklaroi zëdhënësja e PD-së. Po dje Ambasadorët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretësisë së Bashkuar, dhe i Ngarkuari me Punë i Suedisë u njohën me Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2009 të publikuar nga Transparency International. Sipas tyre ky sondazh është konsideruar si indeksi më i besueshëm për matjen e korrupsionit në nivel ndërkombëtar. Ata deklarojnë unanimisht: „Rënia në rang ndërkombëtar e Shqipërisë është lajm i keq. Ne shpresojmë se kjo renditje do të inkurajojë fuqishëm Shqipërinë për të implementuar në mënyrë urgjente masa për ndryshimin e kësaj tendence dhe për të treguar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjtha nivelet. Kjo do të jetë thelbësore për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare të nevojshme”. Ambasadorët përsëritën gatishmërinë e qeverive të tyre për të vijuar mbështetjen e Shqipërisë në këtë luftë kundër korrupsionit.