Tabulatet zbardhin implikimin, pranga bashkëpunëtorit të Dajtit
I dyshuar për bashkëpunim me Dritan Dajtin gjatë kohës që ishte në arrati, arrestohet nga SHKB-ja në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda një oficer policie i Qarkut Durrës. Në mungesë, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte firmosur urdhër-arrestin për inspektorin që komunikoi me të shumëkërkuarin edhe disa minuta para operacionit të kapjes së tij. Kanë qenë tabulatet telefonike që zbardhën jo vetëm numrat me të cilët ai komunikonte, por edhe bisedat telefonike në kohë mes tyre dhe ndihmën e dhënë për të mos u arrestuar nga kolegët e tij Dajti. Bëhet fjalë për Mareglen Muçën, inspektori i shumëpërfolur në media për bashkëpunimin e rezultuar nga përgjimet telefonike. Mësohet se Muça është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda paraditen e djeshme nga hetuesit e çështjes dhe për disa orë është marrë në pyetje, ku i është kërkuar të japë versionin mbi provat që dispononte organi i akuzës dhe ku ai rezultonte i implikuar. Burime pranë organit të akuzës së Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se pas marrjes në pyetje nga hetuesit dhe prokurorët, Mareglen Muçës i është komunikuar akuza dhe i janë vënë prangat në zyrën e përfaqësuesve të akuzës.
Arrestimi
SHKB në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas disa muaj verifikimesh dhe hetimesh kanë vënë dje në pranga oficerin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, Mareglen Muça. Oficeri akuzohet se ka ndihmuar vazhdimisht me informacione Dritan Dajtin, person në arrati prej disa vitesh. I arrestuari akuzohet për bashkëpunim, ndihmë dhe përkrahje në veprimtarinë kriminale të shtetasit Dritan Dajti. Arrestimi i Muçës është kryer dje në ambientet e Krimeve të Rënda, ku është thirrur për t’u paraqitur nga hetuesit. I arrestuari ishte inspektor i zonës, në të cilën Dajti kishte marrë një shtëpi me qira, në pistën “Iliria”. Sipas burimeve nga policia, Muça dyshohet se e kishte ndihmuar Dritan Dajtin që t’i fshihej arrestimit nga policia, madje duke komunikuar me të edhe disa minuta para operacionit. Mareglen Muço kishte mbi 1 vit e gjysmë që punonte si inspektor në Sektorin e Krimeve Kundër Pronës, në Sektorin e Vjedhjeve në Drejtorinë e Policisë Durrës. Ai ka ardhur në këtë sektor, pasi ka punuar disa muaj në Sektorin e Policisë Kriminale të kësaj drejtorie. 31-vjeçari i vënë në pranga dje ka lindur në Sarandë dhe banonte prej afro 2 vjetësh në Durrës. Prej disa muajsh, ai ishte nën survejimin e SHKB-së dhe organeve të hetimit, ku dyshohej si ndihmësi i Dritan Dajtit në radhët e uniformave blu.
Hetimi
Një SMS në telefonin e Dritan Dajtit pas arrestimit hodhi dritë mbi emrat e disa bashkëpunëtorëve të tij në radhët e policisë. SHKB nisi menjëherë bashkëpunimin me organin e akuzës për zbardhjen e rolit të inspektorit të zonës së plazhit në Durrës, si dhe të dy oficerëve të tjerë, për të cilët është duke vazhduar verifikimi. Nga hetimet e para rezultoi se inspektori Muça kishte komunikuar me Dritan Dajtin vetëm disa minuta para operacionit, duke shtuar dyshimet për një dekonspirim të mundësh të operacionit prej tij. Por, verifikimi dhe mbajtja nën vëzhgim do të zgjaste për afro tre muajsh derisa Prokuroria të krijonte bindjen e plotë për implikimin dhe rolin e Mareglen Muçës në marrëdhënie me Dritan Dajtin.