E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2010, miratohet shpërndarja e 5 miliardë dollarëve



Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 75 vota pro buxhetin e vitit 2010. Buxheti i vitit 2010 është më i madhi i miratuar ndonjëherë, me një shifër prej 411 miliardë lekësh të reja. Shifrat e këtij buxheti janë 12 për qind më të larta ose rreth 400 milionë dollarë më shumë për vitin 2010. Sipas këtij buxheti, qeveria do të rrisë deri në 15 për qind pensionet e fshatit, ndërsa pensionet e qytetit do të rriten deri 3 herë më shumë se shifra e inflacionit. Ky buxhet ka një rritje prej rreth 3 për qind, krahasuar me buxhetin suplementar të vitit 2009 ose në shumë absolute rreth 12.13 miliardë lekë më shumë. Ato janë parashikuar të përfaqësojnë rreth 32 për qind të PBB-së. Prioritet do të ketë sektori i arsimit me 44 miliardë lekë ose 3.4% e PBB-së, si dhe sektori i shëndetësisë me 36.95 miliardë lekë ose 2.87% e PBB-së. Në total shpenzimet për sektorin e arsimit zënë 3.4 e PBB-së, ose në shumë absolute rreth 44 miliardë lekë. Kjo rritje në shumë absolute krahasuar me buxhetin e vitit 2009 përfaqëson një rritje prej 4.4 miliardë lekë. Në këtë rritje janë të reflektuara dhe gjejnë pasqyrim nivelet e reja të pagave të punonjësve të sistemit arsimor, të cilat në vitin 2009 patën një rritje të ndjeshme, duke mundësuar dyfishimin e pagës krahasuar me vitin 2005. Një rritje kanë edhe shpenzimet kapitale me mbi 2 miliardë lekë. Sektori i shëndetësisë në total zë 2.87% të PBB-së ose në shumë absolute rreth 36.95 miliardë lekë. Kjo rritje në shumë absolute krahasuar me buxhetin e vitit 2009 përfaqëson një rritje prej 5 miliardë lekësh. Në këtë rritje janë të reflektuara dhe gjejnë pasqyrim nivelet e reja të pagave të punonjësve të sistemit mjekësor dhe infermieristik me rreth 15.7%. Një rritje e konsiderueshme për vitin 2010 parashikohet në transfertën e buxhetit të shtetit për ISKSH-në, me rreth 1.52 miliardë lekë, si dhe të shpenzimeve kapitale me mbi 1.8 miliard lekë. Për vitin 2010 parashikohet një rritje e pensioneve në masën 7-10%, ndërkohë që rritja e pagave të punonjësve buxhetorë parashikohet në masën 4-10% e diferencuar. Ruajtja e nivelit 2 për qind e PBB-së së shpenzimeve në sektorin e mbrojtjes, duke plotësuar një nga detyrimet e anëtarësimit në NATO. Shpenzimet për personelin parashikohen 64 miliardë lekë ose 5% e PBB-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›