Topalli: Burrave si Rama u duhet treguar vendi
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzoi dje ashpër kreun e opozitës, Edi Rama, duke e cilësuar si një person që ka dhunuar familjen e tij. Në konferencën e organizuar dje kundër dhunës, Topalli tha se burrave si Edi Rama u duhet treguar vendi. “Ai që kërcënon dhe rreh pa mëshirë partneret e tij, do të donte, po të kishte gjë në dorë, të dhunonte edhe rendin kushtetues. Këtij soj burri i tregohet vendi”, - tha dje kryetarja e Kuvendit në seancën e posaçme kundër dhunës në familje. “Kjo seancë është për ata burra që edhe pse mund të shfaqen ekraneve si mbrojtës të të drejtave, janë vetëm minipersona, janë dhunues të grave të tyre. Është për ata burra që edhe pse janë publikë, janë vetëm minipersona që nuk krijojnë dot kushtet për strehë familjare”, - u shpreh më tej Topalli. Në deklaratën e saj, Topalli tha se burrat që dhunojnë familjen, janë një rrezik për gjithë shoqërinë. “Imagjinoni një burrë që dhunon njerëzit e afërt të tij e që është në krye të një bashkie dhe partie. Ai që dhunon familjen, është rrezik tashmë jo vetëm për njerëzit e tij, por është rrezik për popullin e tij. Ai që dhunon nënën e tij, dhunon edhe institucionet. Ai që dhunon këdo që ka rreth tij, ëndërron të dhunojë edhe shtetin. Dhuna kundër grave është mizore, destruktive. Ai dhunon integritetin e nënave, grave. Ai dhunon dinjitetin njerëzor. Ai është krim kundër trupit e kundër mendjes, nderit e dinjitetit njerëzor. Ai është dhunim i të drejtave të njeriut për të cilën ne nuk mund të mbyllim një sy. Është përgjegjësi e shoqërisë për të pasur tolerancën zero ndaj këtyre. Është koha që mosndëshkimi të marrë fund”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit.