Kufiri detar, Kushtetuesja pezullon marrëveshjen
Gjykata Kushtetuese vendosi dje të pranonte kërkesën e Partisë Socialiste për shqyrtimin e ligjshmërisë të marrëveshjes për ndarjen e ujërave mes Shqipërisë e Greqisë. Sipas vendimit të djeshëm, marrëveshja pezullohet, pra nuk do të shqyrtohet në Kuvend deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë. Ndërkohë, dje kjo gjykatë rrëzoi kërkesat e 5 partive opozitare, por pranoi vetëm kërkesën e Partisë Socialiste. Të 6 partitë opozitare kërkuan të njëjtën gjë, por sipas gjykatës, vetëm PS përmbushte kriteret ligjore për marrjen në konsideratë të kërkesës. “Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në datë 26.11.2009, mori në shqyrtim paraprak kërkesën e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Partisë Socialdemokrate, Partisë Demokracia Sociale, Partisë Demokristiane, Partisë “Ligj dhe Drejtësi”, Partisë G99, me objekt: “Shqyrtimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese çmon se, bazuar në nenin 31 të ligjit nr. 8577, dt. 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, ekziston shkaku dhe baza ligjore për shqyrtim gjyqësor të kërkesës vetëm sa i takon subjektit kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese. Më tej, gjykata mori vendim për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare me subjekt kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë, rrëzimin e kërkesës për subjektet e tjera kërkuese si dhe pezullimin e procedurave të ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi deri në shpalljen e vendimit përfundimtar. Gjykata vendosi që seanca plenare për këtë kërkesë të zhvillohet me datë 8 dhjetor 2009, ora 10:00.