E Diel, 1 Nëntor 2026

Senatorët çekë: Opozita të kuptojë, s’ka rinumërim votash



Për senatorët çekë bojkoti i opozitës po i sjell një dëm të madh procesit të përafrimit të Shqipërisë në BE. Sipas tyre, është e rëndësishme që nxitësit e këtij bojkoti të kuptojnë që në këtë situatë, këto metoda të luftës së brendshme politike në vend, sjellin një impakt shumë negativ në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë. Kryeministri Berisha priti dje delegacionin e Komisionit për Çështjet me Bashkimin Evropian, të Senatit çek, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, z. Ludek Sefzig, dhe nënkryetari ti tij, z. Alexander Vondra. Kryeministri Berisha i falënderoi deputetët e Parlamentit çek për përkrahjen e jashtëzakonshme që Çekia i ka dhënë Shqipërisë, si duke pranuar depozitimin e kërkesës për anëtarësim gjatë presidencës çeke, ashtu edhe për vijimin e mbështetjes për marrjen e vendimit historik nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim, si dhe për mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave. Parlamentarët çekë e uruan Kryeministrin Berisha për rikonfirmimin në këtë post dhe për arritjen madhore të Shqipërisë, vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për të shqyrtuar kërkesën për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat, si dhe për ecurinë shumë të mirë në procesin e liberalizimit të vizave. “Ju, z. Berisha dhe qeveria juaj keni bërë vërtet shumë për të përafruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian, për hapin e madh, miratimin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat”, - iu drejtua kryetari i Komisionit për Çështjet me Bashkimin Evropian, në Senatin çek, Kryeministrit Berisha. “Gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, u informuam dhe pamë me sytë tanë reformat e realizuar nga qeveria juaj, të cilat janë realisht impresionuese dhe po e shndërrojnë çdo ditë Shqipërinë”, - vijoi më tej z. Sefzig. Me tej, në takim u diskutua edhe për situatën paszgjedhore dhe vendimin e drejtuesit të opozitës për të bojkotuar Parlamentin e Shqipërisë. Senatorët çekë vlerësuan qëndrimin e hapur dhe transparent të qeverisë dhe të Kryeministrit Berisha, për sa i përket kësaj çështjeje. Parlamentarët çekë theksuan se kërkesat që bien ndesh me parimet themelore kushtetuese, siç është mosndërhyrja dhe mosndryshimi nga politika, i vendimeve të gjyqësorit, janë të rrezikshme, pasi mund të shkatërrojnë shtyllat themelore të demokracisë së një vendi. “Kemi ardhur në Tiranë, pasi jemi tërësisht të bindur, nga të gjitha raportet ndërkombëtare, për legjitimitetin e plotë të kësaj qeverie dhe vlerësojmë maksimalisht qëndrimin e Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, si dhe përpjekjet e tyre që në Parlament të përfaqësohen të gjithë shqiptarët, edhe ata që votuan opozitën. Ata që vazhdojnë të sugjerojnë këtë bojkot, nuk e kanë idenë sesa i thellë është dëmi dhe impakti që kjo i shkakton Shqipërisë dhe imazhit të saj, në veçanti, në kuadër të procesit të përafrimit me Bashkimin Evropian”, - u shpreh kryetari i Komisionit të Senatit çek, z. Ludek Sefzig. Gjatë bisedës, ndërhyri edhe nënkryetari i Komisionit, z. Alexander Vondra, i cili u shpreh i mrekulluar nga ndryshimet e realizuar gjatë këtyre viteve në Shqipëri. Për sa i përket bojkotit të opozitës, z. Vondra theksoi: “Ne besojmë se ky qëndrim bojkotues po i sjell një dëm të madh procesit të përafrimit të Shqipërisë në BE, prandaj është e rëndësishme që nxitësit e këtij bojkoti të kuptojnë që në këtë situatë, këto metoda të luftës së brendshme politike në vend sjellin një impakt shumë negativ në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë. Jemi shumë të kënaqur që Bashkimi Evropian e pranoi kërkesën e Shqipërisë, të depozituar gjatë Presidencës çeke dhe ju siguroj zoti Kryeministër se BE ka një perceptim shumë pozitiv për përpjekjet dhe për nivelin e marrëdhënieve me qeverinë shqiptare”, - theksoi z. Alexandër Vondra.

“Një OKB”, Suedia, 2,9 milionë dollarë për Shqipërinë

Qeveria e Suedisë do t’i sigurojë mbështetje Shqipërisë, duke kontribuar me 2,9 milionë dollarë përmes programit “Një OKB”. Dje u nënshkrua një marrëveshje midis znj. Elisabeth Stam, e ngarkuara me punë e ambasadës suedeze në Shqipëri dhe Përfaqësueses së Përhershme të Kombeve të Bashkuara, znj. Gülden Turkoz-Cosslett, në prani të ministrit të Shtetit z. Genc Pollo. Ky i fundit vlerësoi kontributin e qeverisë së Suedisë për Shqipërinë përmes programit “Një OKB”. Sipas tij, programi “Një OKB” mbështet aspiratat e vendit për anëtarësim në BE. Nisma “Një OKB” e ka bërë organizatën e Kombeve të Bashkuara një partner zhvillimi më të fokusuar qe mbështet prioritetet kombëtare, në mënyrë më të koordinuar dhe me eficente. Znj. Elisabeth Stam, e ngarkuara me punë e ambasadës suedeze në Tiranë midis të tjerash tha: “Suedia mbështet reformën e OKB-së dhe ky fond e vërteton më së miri këtë. Presim me padurim që të shohim rezultatet e ndihmës tonë në terren”. Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, Gülden Turkoz-Cosslett, tha: “Kontributi financiar i siguruar nga qeveria e Suedisë për programin “Një OKB” mbështet prioritetet thelbësore të zhvillimit në Shqipëri. Kontributi i Suedisë gjithashtu tregon angazhimin e saj ndaj reformës së OKB-së. Shqipëria u përzgjodh, së bashku me shtatë vende të tjera, për të testuar një program mbarëbotëror të reformimit të OKB-së”. Programi “Një OKB” në Shqipëri u nënshkrua më 24 tetor 2007.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›