Buxheti 2011, me planifikim për një rritje të re pagash e pensionesh

Këshilltarja e kryeministrit, Suzana Guxholli thotë në një intervistë mediatike se puna për projektbuxhetin e 2011 do mbarojë në fillim të shtatorit dhe do të sanksionojë prioritetet sociale të rritjes së pagave e të pensioneve si dhe vijimin e investimeve në infrastrukturë
Shqipëria përgatitet që vitin e ardhshëm të ketë në dispozicion të realizimit të objektivave, siç janë ndërtimi i infrastrukturës rrugore, rritja e pagave dhe pensioneve me synim kapjen e mesatares evropiane dhe rritjen e mbështetjes sociale, një super buxhet financiar. Kësisoj, rritja e standardit të jetesës po ashtu dhe infrastruktura, nëpërmjet projekteve të mëdha që do investohen, do jenë dy prej prioriteteve kryesore në buxhetin e vitit 2011. Këtë fakt e konfirmon këshilltarja e Kryeministrit për Ekonominë Suzana Guxholli, e cila deklaron se edhe në këtë buxhet, rritja e pagave dhe pensioneve, po ashtu dhe mbështetja e shtresave në nevojë do të vazhdojë me ritme të larta. “Rritje pagash dhe pensionesh, do të ketë edhe në vitin 2011, pasi janë parashikuar në buxhet. Po ashtu do të rritet ndihma ekonomike për shtresat në nevojë. Buxheti do jetë më i larti nga vitet e kaluara, pasi vendi ka rritje ekonomike”- u shpreh këshilltarja e kryeministrit për ekonominë, Suzana Guxholli. Po ashtu, Guxholli thekson se infrastruktura do të zërë një pjesë të rëndësishme në këtë buxhet nëpërmjet projekteve madhore që janë planifikuar. “Do vazhdojnë projektet madhore në infrastrukturë si Boshti i Jugut, Autostrada Tiranë-Elbasan, po ashtu do fillojnë punimet për unazën e madhe të kryeqytetit” - u shpreh këshilltarja e kryeministrit. Në buxhetin e vitit 2011 janë parashikuar shkurtime administrative pa prekur ecurinë e administratës. Aktualisht buxheti për vitin e ardhshëm po përgatitet nga Ministria e Financave për t’u paraqitur në qeveri më 1 shtator.
Ka nisur edhe formalisht puna për buxhetin e vitit të ardhshëm/Ministria e Financave dhe të gjitha ministrisë e linjës, kanë filluar të hartojnë projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, i parashikuar si buxheti më i madh në historinë e vendit. Kryefjala e buxhetit të ardhshëm është rritja e pagave dhe pensioneve, për të cilat qeveria e kryeministrit Sali Berisha, ka një kontratë me shqiptarët, kontratë kjo e nënshkruar më 3 korrik të vitit 2005. E konsideruar si një premtimet më korrekte dhe që njëherazi mbart në vetvete frymën sociale dhe ekonomike, rritja e pagave dhe pensioneve pritet të njohë një dimension të ri gjatë vitit të ardhshëm. Ndonëse një vendim i vështirë dhe rriskues, për shkak të efekteve ende të gjalla të krizës ekonomike botërore, qeveria “Berisha” i ka bërë ballë me sukses një prej furtunave më të mëdha financiare që ka njohur ndonjëherë bota. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se me buxhetin e vitit të ardhshëm, ministritë duhet të realizojnë me çdo kusht projektet e mëdha të shpallura para shqiptarëve: infrastruktura rrugore, rrjeti i ujësjellësve, arsimi, modernizimi i shëndetësisë si dhe mbështetjen projekteve të tjera në bujqësi. Sipas kryeministrit, buxheti i 2011-s, është buxheti më i madh në historinë e vendit ndaj edhe mbetet vendimtar për realizimin e këtyre projekteve madhore. Buxheti i vitit të ardhshëm, pritet të konfirmojë gjithashtu rritje progresiste ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
...