E Shtunë, 31 Tetor 2026

FA-të përmbushin detyrat e NATO-s, mision në zonat e luftimit

Trupat shqiptare nisen për në Kandahar

Janë nisur dje për në Kandahar të Afganistanit trupat shqiptare të kontigjetnit paqeruajtës “Eagle 1”. Kontigjenti paqeruajtës “Eagle-1” përbëhet nga 44 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë, efektivë të Batalionit Special të Forcave Tokësore. Ky është misioni i parë që do të marrë pjesë në operacione luftimi përkrah forcave speciale amerikane që veprojnë në Afganistan. Prezantimi i misionit u bë të mërkurën në një ceremoni, ku morën pjesë kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade, Maksim Malaj, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave tona të Armatosura, dhe familjarë e të afërm të paqeruajtëseve. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, të Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak, të SAIC, si dhe ushtarakë të tjerë të huaj me mision në vendin tonë.
Trupat e këtij kontingjenti kanë kohë që përgatiten me një program special në përshtatje me detyrat që do të kryejnë në zonat e luftimit në Kandahar. Ato janë trajnuar nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e një ekipi ushtarakësh amerikan, të cilët kanë përvojë në këto lloj operacionesh. Afati i qëndrimit të tyre në këtë mision është 6 muaj.
Ky është rasti i parë që forcat ushtarake shqiptare marrin pjesë në misione ku përfshihen dhe operacione ushtarake. Në fakt, një mundësi e tillë është folur edhe në një takim të kryer në bazën e Heratit nga gjenerali italian i trupave. Gjenerali italian ishte shprehur mjaft i kënaqur për shërbimet e kryera nga trupat e kontigjentit verë 2009-pranverë 2010, dhe se ushtarakët shqiptarë mund të përballonin edhe situata të mirëfillta luftarake, duke u vendosur në vijat e nxehta të frontit apo zonat problematike. Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe nisma e ndërmarrë nga vendi ynë, për pjesëmarrje në zonat e luftimit, është në përputhje me përmbushjen e detyrimeve që ushtria ka në bashkëpunim me aleancën e lirisë. Rajoni i trazuar i Afganistanit, vazhdon të jetë i degdisur, ndërkohë që ekstremistët talebanë marrin jetë qytetarësh të pafajshëm dhe njëherazi përbëjnë një rrezik permanent për paqen globale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›