Raporti i ekspertëve faktmbledhës të Brukselit dorëzohet formalisht në Tiranë në ditët e para të shtatorit

Lidhur me liberalizimin e vizave, deputeti dhe kryetari i komisionit të jashtëm parlamentar, Fatos Beja ka sqaruar edhe procedurën rutinë që do të shoqërojë procesin, deri në hyrjen në fuqi të vendimit, brenda vitit 2010
Qeveria shqiptare garanton solemnisht se procesi i liberalizimit të vizave do realizohet brenda këtij viti. Pas vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse të Bashkimit Evropian, pritet që raporti i ekspertëve të Komisionit Europian për tre kushtet shtesë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, t’i dorëzohet qeverisë shqiptare ditët e para të muajit shtator. Kryetari i komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë, Fatos Beja tha se, raporti i ekspertëve në Bruksel i 25 korrikut do t’i kalojë qeverisë shqiptare për procedurë, duke i hapur rrugën përfundimtare procedurave të mëtejshme të institucioneve europiane në muajin shtator. “Ky raport do t’i çohet qeverisë shqiptare, e cila gjatë muajit gusht, mund të bëjë dhe komentet e saj rreth tij. E rëndësishme është se konstatimet e ekspertëve europianë kanë qenë në përputhje me deklarimet e qeverisë për realizimin nga Shqipëria të kushteve, që u shtuan së fundi. Kjo shënon dhe mbylljen e historisë së ekspertëve që do të vijnë në Shqipëri për të parë ecurinë e çështjes së vizave, ndërsa hap siparin tjetër në shtator me diskutimin në Komisionin e çështjeve të Brendshme, që pritet të jetë rreth datave 5-6 shtator” - tha Beja. Sipas tij, më 21-23 shtator pritet të mbahet sesioni plenar i Parlamentit Europian, ku mund të diskutohet dhe njëkohësisht mund të ketë një takim të ri të Komisionit të Jashtëm të PE-së. “Me zhvillimin e këtyre procedurave procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë shkon drejt përfundimit të marrjes së vendimit dhe hyrjes në fuqi të tij, në pak muaj”- vuri në dukje kryetari i komisionit të Jashtëm. Më 27 Maj, kolegji i komisionerëve të KE-së i rekomandoi Këshillit të Ministrave dhe PE-së heqjen e vizave për Shqipërinë. Komisionerja për çështjet e Brendshme në KE Cecilia Malstrom kërkoi nga pala shqiptare plotësimin e tre kritereve të paplotësuara përfundimisht si strategjia për të mbështetur integrimin e të riatdhesuarve, forcimi i zbatimit të ligjit dhe korniza ligjore për të luftuar krimin e korrupsionin, si dhe zbatimi i kornizës ligjore të konfiskimit të aseteve kriminale.
Presidenca e BE-së, Belgjika dha “ok” për vizat/Udhëheqësja e radhës e bllokut 27 anëtarësh, Mbretëria e Belgjikës, shprehet në mbështeje të aspiratave të integrimit të vendit, teksa vlerëson procesin e liberalizimit të vizave Shqipëri-BE, si një punë të kryer tashmë. Kjo iu komunikua kryeministrit Sali Berisha gjatë takimit të fundit që ai zhvilloi në Bruksel me homologun e tij, Iv Leterme. Angazhimi korrekt i institucioneve shtetërore dhe atyre përgjegjëse për realizimin e kritereve të kancelarive perëndimore, ka bërë që vendi të vlerësohet dhe të marrë notë pozitive, për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në listën e bardhë të vendeve “Schengen”. Presidenca e re e Bashkimit Evropian shprehet e zotuar për të qenë në krah të ambicies së qytetarëve shqiptarë. Brukseli, përveç ndarjes së detyrave në fillim dhe korrektimin e plotësimit të standardeve në vijim, pritet që të japë ‘notën’ finale në mënyrë që qytetarët shqiptarë të ndjehen pjesë e evropës së bashkuar dhe të lëvizin të lirë si njësoj si qytetarët e unionit. Kësisoj, pritet që gjatë muajit shtator raporti i komisionerëve të diskutohet në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Ministrave, për të marrë vendimin e integrimit të Shqipërisë në zonën e lëvizjes së lirë të “Schengenit”.
...