Rekordi – 14 mijë emigrantë në Shqipëri, brenda 24 orëve

Regjistrohet një fluks emigrantësh në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Pikat kufitare me Greqinë janë më të mbingarkuarat, por autoritetet e Athinës s’po u përgjigjen me të gjitha kapacitetet nevojave të eksodit të pushuesve shqiptarë
Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit, kthehen për pushime në vendlindjen e tyre. Fillimi i muajit gusht sjell edhe një numër të madh emigrantësh në vendin tonë. Pikat kufitare si Kakavija, Kapshtica si dhe porti i Durrësit, kanë pritur ditën e djeshme një numër relativisht të madh, pasagjerësh. Kështu nga mesnata e deri në mesditën e djeshme nga pika kufitare e Kapshticës kanë hyrë në Shqipëri mbi 5500 persona me 2 100 automjete. Policia njofton se pala shqiptare ka punuar me 6 sportele ndërsa ajo greke vetëm me 4. Ndërsa në pikën kufitare të Kakavijës gjatë ditës së djeshme kanë hyrë 3200 persona dhe 1 mijë automjete. Gjithashtu kanë hyrë edhe 54 autobusë. E ndërsa pala greke punon me 4 sportele, pala shqiptare punon me 8 sportele. Por ndryshe ndodh në pikën kufitare në Durrës, ku gjatë orëve të fundit kanë hyrë 4800 persona, dhe 130 mjete, të cilat kanë mbërritur me 5 traget linjash. Në orët e vona të mbrëmjes në portin e Durrësit kanë mbërritur edhe 5 tragete të tjerë. Fluksi i emigrantëve drejt territorit shqiptar pritet të jetë në shifra të larta të paktën deri në mesin e këtij muaji. Muaji gusht, është edhe muaji i pushimeve, kohë të cilën emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendet fqinje, po e shfrytëzojnë pranë familjarëve dhe të afërmve të tyre.
Masa të ashpra ndëshkimore ndaj shkelësve të Kodit Rrugor/Nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe do të ndëshkohen maksimalisht të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk respektojnë legjislacionin rrugor gjatë drejtimit të automjeteve, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Struktura e re e Policisë Rrugore, e ngritur së fundmi me reformën e bërë në Policinë e Shtetit, do të ndëshkojë me masa të forta administrative dhe nuk do të tolerojë asnjë shtetas që drejton mjetin në gjendje të pirë, që drejton motorat pa vendosur kaska mbrojtëse, apo automjetin pa rrip sigurimi, si dhe shkelje të tjera të legjislacionit rrugor. Në një intervistë për mediat, Drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Vullnet Topalli, i bëri apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë me rigorozitet normat e parashikuar në Kodin Rrugor, në mënyrë që të gjithë qytetarët e vendit të jenë më të sigurt. Në të kundërt, mosrespektimi i këtyre normave, tha ai, mbart me vehte jetë njerëzish. Në të gjitha autostradat dhe superstradat e vendit, 24 orë në 24, efektivat e qarkullimit rrugor të Njësisë së Kontrollit të Autostradave, të pajisur me radarët dixhitalë dhe mjetet e tjera të teknologjisë së fundit, monitorojnë dhe ndëshkojnë çdo shkelje flagrante të Kodit Rrugor. Kreu i Qarkullimit Rrugor vlerësoi se, për të pasur një trafik sa më normal dhe për të ofruar pranë drejtuesve të mjeteve një siguri dhe orientim sa më të drejtë për shmangien e aksidenteve rrugore, Njësitë Rajonale të Policisë Rrugore si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe, po monitorojnë në të gjithë vendin situatën rrugore. Topalli tha se janë vendosur shërbime shtesë në autostradat dhe superstradat e vendit edhe për shkak të ardhjes së numrit të madh të turistëve për të kaluar pushimet në zonat bregdetare, ku ndër të tjera, ai veçoi autostradën Durrës- Kukës – Morinë, ku vihet re një rritje e numrit të automjeteve që hyjnë nga Kosova. Ndër të tjera, kreu i rrugorëve u shpreh se, “struktura e re e krijuar në kuadër të reformave në Policinë e Shtetit, e ndarë në 12 njësi në bazë qarqesh, funksionon krahas Njësisë së Kontrollit të Autostradave, e përuruar në fillim të këtij muaji”. Qëllimi i ngritjes së kësaj strukture është siguria në rrugë, ku angazhimi i çdo punonjësi të Policisë Rrugore është maksimal. Sipas Topallit, shërbimet e strukturave kanë qenë mjaft korrekte si në qytetin e Tiranës, në kontrollin e autostradave, ashtu edhe në zonat bregdetare, ku fluksi i madh i pushuesve ka bërë që të ketë një rritje të trafikut të automjeteve, më i rënduar se në ditë të zakonshme të vitit. Gjithashtu, ai vlerësoi se “të gjitha strukturat, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe, janë angazhuar maksimalisht për të pasur një trafik sa më të lirë, për të ofruar pranë drejtuesve të mjeteve një siguri apo orientim më të drejtë nga këto struktura, për shmangien e aksidenteve rrugore”. Ndër të tjera, ai tha se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i aksidenteve me pasojë humbjen e jetës, ka qenë më i vogël. Në qarkun e Tiranës, gjatë këtij 6-mujori janë evidentuar 317 aksidente rrugore, prej te cilëve 37 me pasoje vdekje, 30 persona te plagosur rende e 250 persona te plagosur lehte. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë evidentuar 307 aksidente rrugore, prej te cilave 43 me pasoje vdekje, 44 persona të plagosur rëndë dhe 248 të plagosur lehtë. Për parandalimin dhe uljen e numrit të aksidenteve në rrugë, në fillim të këtij muaji, në prani të Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, u përurua Njësia e Kontrollit të Autostradave, e krijuar pas riorganizimit të strukturës së Policisë Rrugore. Kjo njësi, e cila funksionon bazuar në sistemin “SCOUT”, një sistem modern i integruar, mundëson fotografimin, filmimin dhe transmetimin online të informacionit në sallën e komandimit dhe ndërlidhet me sistemet e tjera të policisë, me sistemin e të dhënave kriminale, identifikon shkelësit e rregullave në trafik, mospagimin e masave administrative nga kundravajtësit, makinat e vjedhura vetëm duke identifikuar targën etj. Informacioni përpunohet në Qendrën e Përpunimit të Informacionit në Njësinë e Kontrollit të Autostradave, ku gjenden bazat e të dhënave mbi gjobat dhe targat e automjeteve, procesverbalet e konstatimit në vlerë dhe masë plotësuese e ku kryhet gjithashtu përpunimi statistikor i të dhënave. Kjo njësi, e cila e ka shtrirë këtë shërbim nga jugu në veri, me kapacitetet e saj profesionale do të vijë në ndihmë të çdo njësie territoriale të policisë rrugore sipas nevojës ku ka trafik të jashtëzakonshëm, sikurse është ai gjatë sezonit turistik, apo kur ka probleme të veçanta me trafikun, sikurse është ai i punimeve të fundit që po bën Bashkia e kryeqytetit.
...