Shqipëria, bashkëpunim korrekt me rajonin e Katalonjës
Zv/kryeministri Meta, takon zv/presidentin e parlamentit të Katalonjës, Corominas
Gjatë qëndrimit të tij në Barcelonë, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvillon një takim me zv/presidentin e parlamentit të Katalonjës, Lluis Corominas. Në takimin me zv/presidentin e Parlamentit të Katalonjës, Corominas, të zhvilluar dje në Barcelonë në selinë e parlamentit ministri Meta vlerësoi lart bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe rajonit të Katalunjës në fusha të ndryshme si ekonomike, tregtisë dhe transportit etj. Të dy bashkëbiseduesit ndan të njëjtin mendim se hapja e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Barcelonë do të shërbejë pozitivisht në këtë drejtim. Nga ana e tij z. Corominas theksoi se tashmë pas marrjes së vendimit të GJND-së partia e tij do të përpiqet të ndikojë pozitivisht mbi qeverinë qendrore për të modifikuar qëndrimin e deritanishëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Vizita e parë e një ministri të jashtëm në Andorrë, kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës/Zv-kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka takuar gjithashtu dje, ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Marrëdhënieve Institucionale të Andorrës, z. Xavier Espot Miro. Pas përshëndetjeve të rastit, ministri i Jashtëm andorren, Espot Miro u shpreh se jam shumë krenar për faktin që vizita juaj është e para e një ministri të Jashtëm shqiptar në Andorra dhe kjo përbën një datë historike për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Kjo vizitë do të shërbejë si një pikënisje në zhvillimin e raporteve midis Shqipërisë dhe Andorrës në të ardhmen.
Në bisedimet zyrtare midis dy delegacioneve që u zhvilluan në selinë e qeverisë së Principatës së Andorrës të dy ministrat ranë dakord në konkretizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në fushat me interes të përbashkët si turizmi, bankat, mjedisi, infrastruktura etj., nëpërmjet krijimit të një kuadri të plotë ligjor. Pala shqiptare do të përgatisë projektet e marrëveshjeve dypalëshe në secilën nga fushat e përmendura.
Ministri Meta e informoi homologun andorren lidhur me progresin e bërë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, liberalizimin e shpejtë të vizave dhe përfitimin së shpejti të statusit të vendit kandidat. Ministri Meta e informoi homologun andorren lidhur me situatën në rajon dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në marrëdhëniet me të gjithë vendet e rajonit. Ai u shpreh vendimi i ditëve të fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës do t’i shërbejë forcimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.