Itali, Liri Berisha nderohet me “Çmimin për paqen 2011”
Presidentja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, znj.Liri Berisha nderohet me “Çmimin për Paqen 2011” nga Rajoni i Lombardisë në Itali. Në një ceremoni tradicionale të përvitshme, të organizuar nga presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni, “Çmimi për paqen 2011” me vlerësimin special, i përzgjedhur dhe i nominuar nga komisioni special, i është dorëzuar konsulles sonë në Milano, Nausika Spahia. Arsyeja e nderimit të znj.Berisha me “Çmimin për Paqen 2011” bëhet në vlerësim të impenjimit të saj të vazhdueshëm humanitar, shkencor dhe social në drejtim të personave në nevojë, me një mbështetje të posaçme ndaj grave dhe fëmijëve të prekur nga probleme shëndetësore dhe në kushte të pafavorshme ekonomike. Çmimi për Paqen është një vlerësim vjetor i vendosur nga Këshilli Rajonal i Lombardisë që prej vitit 1989 dhe promovon kulturën e paqes dhe solidaritetit. Ai u jepet subjekteve, personave fizike apo enteve publike dhe private, që me punën e tyre të jashtëzakonshme në fushën e humanizmit, kërkimeve shkencore dhe veprimtarive me natyrë sociale, kanë bërë të mundur promovimin e paqes dhe solidaritetit duke nxitur iniciativa për bashkëpunim dhe zhvillim.