E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2012 me mjaft investime per rruget e vendit

 Investimet e parashikuara në buxhetin e vitit që vjen do të mbështesin infrastrukturën rrugore dhe për më tepër, projektet e nisura.

Mbështetjen më të madhe do ta ketë autostrada e re Tiranë –Elbasan dhe financimi i tunelit si pjesë e këtij aksi. Gjithashtu do të mbështeten me fonde Levan-Tepelenë, dhe by-passi i Fierit.

Buxheti i vitit 2012 do të mbështesë përfundimin e autostradës Shkodër-Hani i Hotit dhe rrugën Qafë-Plloçë-Qukës.

Përfundimin e rrugës Kardhiq –Delvinë, progresin e mëtejshëm të rrugës së Arbërit në të dyja anët, në drejtim të tunelit, nga Ura e Vashës dhe nga Shkalla e Tujanit në drejtim të Qaf-Murrizit.

Fondet që do të mbështesin investimet kapitale do të jenë më të ulëta se të këtij viti. Llogaritjet paraprake flasin për rreth 72 miliardë lekë nga më shumë se 73 miliardë lekë që janë vënë në dispozicion këtë vit.

Nga vlerësimet paraprake, kjo shumë do të mbështesë vetëm projektet e nisura deri me tani, sidomos projektet madhore, duke mos parashikuar hapjen e fronteve të reja.

Gjatë viteve të fundit, infrastruktura dhe në veçanti, ajo rrugore, kanë qenë ndër tre prioritetet kryesore, duke përfituar dhjetëra miliardë lekë nga buxheti i shtetit.

Ministria e Financave ka nisur prej më një muaji shqyrtimin e kërkesave të dikastereve të ndryshme për buxhetin e vitit 2012.

Gjatë takimeve me ministritë e linjës, po përcaktohen tavanet e buxhetit për projektet e paraqitura.

Javës tjetër, pritet që buxheti të prezantohet dhe të kalohet në Parlament për diskutim.

Akset rrugore që do të mbështeten me fonde në 2012

- Rruga e re me tunel Tiranë-Elbasan

- By-pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë

- By-passi i Fierit

- Rruga e Arbrit

- Kardhiq-Delvinë

- Kanali i Cukës-Butrint

- Qukës-Qafë Plloçë

- Unaza Korçë

- Valbonë segm B.Curri-Margegaj-Dragobi-Valbonë

- Porto Romano- Durrës

- Unaza e Re e Tiranës-Mullet

- Unaza e qytetit të Durrësit

- Rr. paralele superstrada Tiranë-Vorë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›