E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 4 miliardësh, rritje pagash, pensionesh dhe investime



Një buxhet 4 miliardë lekësh, mbështetës për reformat në çdo sektor jetik për vendin parashikon rritje të mëtejshme pagash dhe pensionesh dhe investime në cdo skaj të Shqipërisë. Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje në Këshillin e Ministrave përparësitë kryesore të buxhetit për vitin 2010. Nga të dhënat paraprake rezulton se ky buxhet do të jetë në vlerën 4 miliardë lekë. Rritje e rrogave dhe e pensioneve, riorganizimi i ndihmës ekonomike, vazhdimi i investimeve në infrastrukturë, bujqësia, arsimi dhe shëndetësia janë drejtimet kryesore të buxhetit të vitit të ardhshëm. Edhe ky buxhet parashikon rritje të mëtejshme të pagave dhe pensioneve. Do të rritet kryesisht niveli i pagave të ulëta dhe atyre mesatare, ndërsa për pensionet qeveria duket e vendosur t’i shkojë deri në fund angazhimit, për barazim të pensioneve të fshatit me ato të qytetit.

Ky buxhet, sipas z. Berisha, mbështet sërish politikën e rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve. “Ne, - tha ai, - jemi të vetmit që në këtë buxhet parashikojmë dhe vendosim të rrisim sërish pagat dhe t’i rrisim ato që në vitin e ardhshëm”. “Kjo rritje është rezultat i rritjes së parashikuar të të ardhurave me rreth 12 për qind dhe bëhet e mundur pikërisht për shkak të saj. Përparësi në këtë rritje do të kenë sërish pagat e ulëta dhe të mesme. Niveli i pagave të larta do të ketë një rritje modeste, pa inflacionin prej 2 për qind, me inflacionin prej 4 për qind. Ndërsa do të kenë rritje të ndjeshme pagat e mesme, të mësuesve, rritje të madhe do të kenë ato të infermierëve dhe mjekëve në sistemin e ri, rritje të ndjeshme do të kenë pagat e policisë, ushtrisë dhe administratës”, - deklaroi z. Berisha. Para anëtarëve të kabinetit, Kryeministri pohoi më tej se rritje të ndjeshme, në përputhje me platformën elektorale, do të kenë pensionet. “Ne, - tha ai, - jemi të vendosur të ecim drejt qëllimit tonë të barazimit të pensioneve fshat-qytet, ndaj edhe kjo rritje do të jetë më e madhe për pensionet e fshatit, sepse pensionet e fshatit janë më të ulëtat në vend dhe pavarësisht se ato u dyfishuan, sërish mbeten në nivele që duhen rritur më tej. Rritje do të kenë pensionet e ulëta. Pra, angazhohen shuma të mëdha në rritjen e pagave dhe pensioneve”, - u shpreh z. Berisha. Për sa i përket infrastrukturës, Kryeministri Berisha u ndal te unaza e madhe e Tiranës, ndërtimi i të cilës, sipas tij, do të ndihmojë edhe në përmirësimin e mjedisit në kryeqytet. “Ne i kemi ofruar kryetarit të Bashkisë së Tiranës së fundi ofertën e sinqertë, të ndërtojmë unazën e Tiranës. Segmentin që është brenda qytetit ta ndërtojë bashkia dhe ne jemi të gatshëm të marrim borxhin për bashkinë. Pjesën tjetër jashtë qytetit, që del në territorin e komunave të tjera, bashkia duhet të vetëkufizohet dhe duhet ta ndërtojnë ata që u takon. Mendoj se kjo përbën një zhvillim pozitiv në zgjidhjen e problemit madhor të trafikut që është dhe ndotësi numër një i Tiranës”, - theksoi z. Berisha.

Kritere të reja për ndihmën ekonomike

Kryeministri Sali Berisha foli dje për kritere të reja në skemën e shpërndarjes së ndihmës ekonomike. Synimi është eliminimi i varfërisë së skajshme. Sipas tij, nuk duhet të ketë familje në Shqipëri, nuk duhet të ketë qytetarë shqiptarë që të zgjohen dhe erren me dhimbjet e mjerimit. Ne do të adaptojmë një skemë të tillë që do të shkojmë drejt zerimit të mjerimit apo siç quhet, varfërisë së skajshme në Shqipëri, që, sipas një studimi, është 1.3 për qind, por edhe pse në përqindje duket e vogël, është për t’u marrë me seriozitet, pasi janë mijëra familje.

Infrastruktura

“Buxheti 2010 parashikon realizimin e projekteve të mëdha në infrastrukturë. Do të ecet me shpejtësi në realizmin e Boshtit rrugor të Jugut, lidhjes së re rrugore Tiranë-Elbasan, por dhe Rruga e Arbrit shënon zhvillime të reja. Në buxhetin e ri me përparësi do të jetë mjedisi. Ky buxhet do t’u përgjigjet projekteve të mëdha ambicioze të infrastrukturës dhe reformave në sektorë të ndryshëm. Ne do të investojmë të gjitha fondet që Rruga e Arbrit të mund të përfundojë deri nga fundi i vitit 2011 apo gjysma e vitit 2012, në varësi nga përfundimi i projektit të disa pjesëve mjaft problematike, siç është ura më e lartë e vendit 150 metra e lartë dhe disa tunele që kërkojnë kohën e finalizimit të projektimit; do të ecet me shpejtësi drejt boshtit të jugut; segmenti Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Berat; shpresoj që nga fundi i vitit të ardhshëm boshti i jugut të fillojë dhe në trajektoren Berat-Tepelenë”.

Mjedisi

Kryeministri Berisha i cilësoi të justifikuara shqetësimet e qytetarëve për nivelin e lartë të ndotjes në kryeqytet. Zgjidhja e kësaj problematike do të shënonte, sipas tij, zhvillime pozitive në parametrat mjedisorë. Buxheti i ri garanton mbështetje të fuqishme për fshatin dhe bujqësinë. Në epiqendër të zhvillimit rural do të jetë fshati, bujqësia, problemet e saj. Ky buxhet do të jetë buxheti i projekteve të mëdha në fushën e bujqësisë. Po punohet pandërprerë për konturimin dhe më pas për financimin e tyre, siç është projekti i ullirit, ku ka një progres substancial në drejtim të finalizimit

Zhvillimi rural

“Buxheti do të jetë buxheti i fondit të zhvillimit rajonal të Shqipërisë. Për fshatrat, qytetet, bashkitë, komunat dhe qarqet e vendit do të jetë mobilizimi më i madh i fondeve financiare në historinë e vendit. Shuma prej 400 milionë dollarësh, e përcaktuar për rrugët rurale, po shkon drejt plotësimit dhe kam besim të madh se gjatë vitit 2010 edhe tejkalimi i kësaj shume. Donatorë, të udhëhequr nga Banka Botërore, për shkak të besimit të palëkundur tek kjo qeveri, që e thënë me terma që kuptojnë qytetarët po ‘zgjidhin qesen’, grantet dhe donacionet e tyre, çka përbën një avantazh shumë të madh”.

Shëndetësia

Shëndetësia do të ketë përparësinë kryesore, përfshirë dixhitalizimin e sistemit shëndetësor. Sipas Kryeministrit Berisha, reforma e të gjitha reformave do të jetë shëndetësia. Ky vit shënon një riorientim të fondeve të tëra në funksion të reformës, të cilat përfshijnë si vendosjen e marrëdhënieve të reja kontraktuale midis prodhuesve të produkteve dhe blerësve të tyre, thellimin e këtyre marrëdhënieve, ashtu edhe përpjekjen e madhe për dixhitalizimin e të gjithë sistemit.

Arsimi

Në fushën e arsimit, Kryeministri përmendi objektivin që brenda 2013-s të mbërrihet drejt vendimit për arsimim të mesëm të detyrueshëm. Berisha nuk përjashtoi mundësinë e debatit për këtë çështje, por tha se kjo është reformë e domosdoshme. Ky vit shënon një riorientim të fondeve të tëra në funksion të reformës, të cilat përfshijnë si vendosjen e marrëdhënieve të reja kontraktuale midis prodhuesve të produkteve dhe blerësve të tyre, thellimin e këtyre marrëdhënieve, ashtu edhe përpjekjen e madhe për dixhitalizimin e të gjithë sistemit.

Antikriminaliteti

Lufta ndaj kriminalitetit do të marrë përgjigje serioze, për këtë Kryeministri kërkoi angazhimin e posaçëm të ministrit Basha. Mbështetje e fortë financiare garantohet për Ministrinë e Mbrojtjes me 2% të GDP-së, Ministria e Integrimit për të gjitha hapat që garantojnë përafrimin me BE-në, Ministria e Jashtme për hapjen e ambasadave të reja dhe modernizimin e sistemit të vizave, Ministria e Ekonomisë për reformën rregullatore, projekte të energjisë apo fushën minerare.

Dixhitalizimi

Buxheti mbështet fuqishëm projektin Shqipëria dixhitale. “Viti që vjen, - tha ai, - do të shënojë revolucion në licencat për frekuencat dhe tregun e telekomunikacioneve. Vitin e ardhshëm do të punohet shumë në drejtim të dixhitalizmit të përgjithshëm, por më parë, duke filluar nga dhjetori të gjithë punonjësit e administratës do të futen në kurs për të mësuar kompjuterin”. Ndërsa një objektiv tjetër i qeverisë mbetet edhe lufta kundër krimit të organizuar i cili në vizionin e Kryeministrit brenda katër viteve duhet të ulet në nivelet e Bashkimit Evropian.

Të ardhurat

Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur këtë vit me 5.7 për qind krahasuar me 2008-n kur atë vit rritja ishte rreth 20 për qind. Por, rritja ambicioze e të ardhurave, sipas Kryeministrit, do të favorizojë edhe rritjen e pagave dhe pensioneve.

Fondi për ministritë

-Ministria e Mbrojtjes në këtë buxhet ka 2 për qind, në përputhje me zotimin tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

-Ministria e Integrimit do të ketë të gjitha investimet e nevojshme për të mobilizuar të gjitha resurset njerëzore për t’iu përgjigjur me dinjitet procesit të integrimit.

-Ministria e Ekonomisë për të vazhduar fuqishëm reformën rregullatore dhe proceset e zhvillimit të mëtejshëm të burimeve energjitike të vendit dhe minierave dhe sektorëve të tjerë.

-Ministria e Jashtme për hapjen e ambasadave në disa vende dhe modernizmin e sistemit të vizave. Po kështu, Ministria e Brendshme do të ketë të gjithë mbështetjen për kontrollin e integruar të kufijve dhe përmbushjen e disa detyrimeve që rrjedhin nga zotimi ynë për liberalizmin e vizave, por dhe për ta bërë jetën e qytetarëve gjithnjë e më të sigurt. Zoti ministër, zotimi ynë në 4 vjet është që mesatarja e krimit në Shqipëri të jetë në nivelet e ulëta të kriminalitetit në vendet anëtare të BE.

-Ministri i Financave ka detyrën për të mbështetur të gjitha këto që thamë dhe mundësisht për t’i tejkaluar në mënyrë që t’i bëjë qytetarët shqiptarë me disiplinë fiskale dhe politikat e goditura që ndjek në trajtimin e borxhit, t’u krijojë të gjitha mundësitë që programi shumë ambicioz i vitit të parë të mandatit të kësaj qeverie të realizohet me sukses të plotë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›