E Diel, 1 Nëntor 2026

PE thirrje opozitës, Pack: Mos rri rrugëve, hyr në Kuvend!



Parlamenti Evropian, pa dallim krahu politik, ka dënuar edhe një herë bojkotin e opozitës shqiptare, duke i bërë thirrje asaj të zërë vendet në Kuvend. Deputetët e Parlamentit Evropian debatuan dje për situatën më të fundit politike në Shqipëri, duke kërkuar që në Strategjinë e Komisionit Evropian të hartuar për Shqipërinë të përfshihet edhe apeli që opozita të kthehet në Kuvend. E ashpër ndaj Partisë Socialiste ka qenë eurodeputetja Doris Pack, e cila kërkoi që në amendamentin për strategjinë e KE-së, të përfshihet thirrja që opozita shqiptare të hyjë në Kuvend. Pack tha se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të luajë rolin e saj dhe sipas saj, nuk duhet të rrijë rrugëve. “Nuk përmendet fare që opozita ka bojkotuar Parlamentin. Në amendament do të kërkoj që t'i bëhet thirrje opozitës që të mos rrijë rrugëve, duhet t'u themi e të pozicionohemi qartë që opozita duhet t'i kthehet Parlamentit në Shqipëri”, - u shpreh eurodeputetja Doris Pack.

Pas kërkesës së Doris Pack, reagoi edhe kryetari i Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, Gabriele Albertini, i cili tha që edhe pse në dokument nuk bëhet ndonjë thirrje, opozita shqiptare e ka vendin vetëm në Kuvend. Ndërsa eurodeputeti tjetër, Cristian Vigenin, u shpreh se pavarësisht arsyeve që nxjerr opozita për të qëndruar jashtë Kuvendit, vendi i saj është Kuvendi dhe se PE duhet të bëjë apel që opozita të respektojë zgjedhjet e 28 qershorit dhe standardet e tyre. “Sigurisht ne mund t'u bëjmë apel, por duhet të marrim në konsiderate faktin se nëse ata janë jashtë, mbase kanë arsyet e tyre, ndoshta situata nuk është kaq e thjeshtë, ndaj duhet ta përmendim këtë e ta shohim më nga afër situatën atje”, - tha eurodeputeti Vigenin. Ai tha më tej se “nuk mendoj se opozita e një vendi që dëshiron anëtarësimin në BE duhet të qëndrojë jashtë Parlamentit, por në anën tjetër ne nuk duhet t'i mbyllim sytë që të mos shohim se ka vërtet një problem atje”. Ndërsa për vendet e tjera të rajonit janë përgatitur projekt-rezoluta të veçanta, raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nicolaos Chountis, nuk ishte i pranishëm në këtë debat për arsye shëndetësore. Dokumenti i komisionit vlerësonte për Shqipërinë se shumica e standardeve ndërkombëtare u arritën ne zgjedhjet parlamentare, por pati parregullsi. Forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten sfidat kyçe për vendin. Komisioni rikujton se është gati për të përgatitur opinionin, nëse Këshilli pranon kandidaturën e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›