Rinumërimi i votave, KiE: Jo ndryshim të vendimeve të gjykatës
Pasi kanë takuar aktorët politikë dhe krerët e shtetit, reporterët e KiE-së, në ikje i lënë një mesazh të qartë opozitës shqiptare, hyrjen në Parlament dhe qëndrimit larg kërkesës për të ndryshuar vendimet e gjykatës. Në ditët e tyre të fundit të qëndrimit në Shqipëri, raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u kanë vendosur notën maksimale zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa për sa u përket pretendimeve të opozitës për rinumërim të votave, David Wilshire dhe Jako Lakso gjatë takimeve me krerët e shtetit kanë theksuar se në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave. Dy raporterët ndodhen në një mision faktmbledhës për raportin e fundjanarit të 2010-s për Shqipërinë. Raport i cili do të vlerësojë nëse vendi ynë i ka arritur standardet për të dalë apo jo nga monitorimi i KE-së. Reporterët i bënë me dije Kryeministrit Berisha se pas përfundimit elektoral të 28 qershorit, vizita e tyre është thjesht rutinë, për të shprehur gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të ndihmuar Shqipërinë për çështje me interes të përbashkët. Reporterët Lakso dhe Wilshire e uruan Kryeministrin Berisha për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit dhe fitoren e koalicionit qeverisës në këto zgjedhje. Më tej, raporterët i bënë me dije Kryeministrit se pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, vizita e tyre është një vizitë rutinë, për të shprehur gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të ndihmuar dhe për të dhënë mbështetjen e saj për Shqipërinë, për çështje me interes të përbashkët. Kryeministri Berisha i falënderoi reporterët për vizitën, duke u shprehur gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare. Në takim u diskutua për situatën paszgjedhore në vend. Kryeministri Berisha u bëri me dije raporterëve të Këshillit të Evropës se zgjedhjet parlamentare ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me infrastrukturën më moderne të teknologjisë së lartë të informacionit, me kuadrin ligjor tërësisht të ri, të hartuar dhe miratuar me konsensus të gjerë mes mazhorancës dhe opozitës dhe se Watchdoog-u i zgjedhjeve konfirmon se nuk ka pasur parregullsi për sa i përket procesit të numërimit apo nxjerrjes së rezultatit. Për sa u përket kërkesave të opozitës në vend për rinumërim, në takim u theksua se në asnjë rast politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave. Kryeministri Berisha i falënderoi raporterët për mbështetjen e vazhdueshme të Asamblesë Parlamentare dhe Këshillit të Evropës ndaj Shqipërisë dhe i siguroi për vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar këtë bashkëpunim të ngushtë. Përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u shprehën se u qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet, përfshi edhe vëzhguesit e dërguar nga KE dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin që ata po përgatisin. Ndërsa kreut të shtetit, Bamir Topi, raporterët i kanë vënë në dukje nevojën e vazhdimësisë së reformave, përmbushjes së standardeve dhe të përparimit në rrugën e sigurt integruese të Shqipërisë në BE. Për këtë, sipas Presidentit Topi, nevojitet vullneti dhe angazhimi maksimal i të gjitha forcave politike në vend. Në takimin me ministrin e Jashtëm Meta, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të KE-së u shprehën se u qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin që ata po përgatisin.