Buxheti, Berisha: Opozita vuan nga sindorma e tunelit
"Sot është dita më e shënuar e parlamentit shqiptar. Sot është dita në të cilën ligjvënësit shqiptarë vendosin për buxhetin e Shqipërisë, vendosin në të vërtetë për buxhetin familjar të 820 mijë familjevë shqiptare të cilat janë aksionerë direkt në këtë buxhet por vendosin për buxhetin e të gjithë shqiptarëve, për portofolet e tyre, vendet e tyre të punës, shërbimet ndaj tyre. Vendosin për shkollat e fëmijëve të tyre, për shërbimin mjekësor, për kohën e tyre si dhe sa do shpenzojnë ata për të arritur në destinacionin e tyre".
Kështu është shprehur kryeministri Berisha në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për projektbuxhetinin e vitit 2012 ndërsa ka shtuar se nuk duhet të harrohet se interesi personal është jeta e çdo shqiptari. Ai ka theksuar se përtej klisheve qëndrojnë hallet e qytetarëve e cila në një masë të caktuar do të marrë përgjigjen nga vota e deputetëve.
Shefi i qeverisë ka deklaruar gjithashtu se ashtu si edhe vitin e kaluar opozita nuk do ta votojë sërish buxhetin pasi sipas tij vuan nga sindroma e tunelit.
“Unë e di që e keni këtë ditë si ditën më të vështirë të vitit. Një vit ku parë ju ratë në sindormën e tunelit të Krrabës dhe qëndruam së bashku deri në orën 5 të mëngjesit. Unë u përpoqa t`ju shëroja por ishte e pamundur. Ju nuk do e votoni sërish buxhetin pasi ju keni sindromën e tunelit” iu drejtuar Berisha deputetëve socialistë.
Gjithashtu kryeministri Berisha duke e cilësuar buxhetin e vitit 2012 si më të mirin për qytetarët u shpreh se vendi ka arritur suksese, në kohën që ekonomitë e vendeve të zhvilluara ka pësuar rënie.
“Këto nuk ishin vitet më të mira të ekonomisë evropiane. Këto ishin vitet më të vështira, që nga vitet 30 të shekullit të kaluar, vite ku rrudhja ekonomike njohu përmasa të frikshme. Ekonomia shqiptare u dëshmua me qëndresë”, shtoi Berisha.
Kreu i qeverisë akuzoi opozitën se ka përdorur të gjitha mekanizmat dhe ka bërë presion psikologjik ndaj tregut për të bërë të mundur bllokimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Çdo muaj çdo ditë ju nisni lajmet më pesimiste për ekonominë e vendit, por asgjë nga të gjitha ato nuk u provuan të vërteta. Ju bëheni të pashpresë. Unë prisja që ku të vini këtu me buxhet të miratuar në komisione. Unë do votojë me ju nëse do sillnim buxheti me deficit 6%, nëse borxhi do shkonte 70%, nëse do përdoreshin manovra inflacioniste. Do votojë nëse nuk do rriteshin rrogat dhe pensionet. Ju jeni në sindromën e tunelit pa dritë. Ky është nihilizmi më ekstrem ndaj mundit e përpjekjeve të shqiptarëve për begati” ka theksuar më tej Berisha.