Hetimi i Bashës PD: Ina Rama, mashë e PS-së, PS mbron kryeprokuroren
Thirrja që i ka bërë Prokuroria e Përgjithshme ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, për të dëshmuar, pavarësisht se gjykata ka vendosur mbylljen e çështjes, ka shkaktuar dje një debat politik në Kuvend. Opozita hapi e para këtë debat dhe i kërkoi mazhorancës që të mbështesë Prokurorinë. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se mazhoranca nuk duhet të mbrojë politikisht ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Por, PD-ja ka akuzuar kreun e akuzës për veprime politike, duke e cilësuar dhe Ina Ramën si “mashë” të PS-së. “Ju si mazhorancë, meqenëse erdhët në pushtet për të luftuar korrupsionin, duhet të përshëndesni Prokurorinë dhe jo të filloni sulmin e radhës ndaj Prokurorisë, sepse Lul Basha po i afrohet burgut”, - tha Balla. Por deklaratat e deputetit socialist shkaktuan reagime në sallë. Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferi, reagoi duke thënë se hetimi që po bën Prokuroria e Përgjithshme, është i paligjshëm, pasi gjykata vendosi pezullimin e tij. Xhaferi tha se Parlamenti nuk duhet të bëjë as prokurorin, as gjykatësin, por Parlamenti ka për detyrë të bëjë transparencën. Ai shtoi se transparenca e këtij procesi është vetëm zbatimi i ligjit, ndërsa veprimet e Prokurorisë, sipas tij, nuk janë të ligjshme. “Prokuroria ka vazhduar të hetojë për dy arsye, që i quan kryesore. E para, sepse konotacioni është bërë në anglisht dhe e dyta, rruga i ka tejkaluar kuotat e përcaktuara. Dihet se në të paktën shtatë vende: në Danimarkë, Suedi, Holandë, Kroaci, Slloveni, Sllovaki janë bërë rrugë të ngjashme me çmim dy-tre herë më të madh se rruga e shekullit për shqiptarët, Durrës-Kukës-Morinë, të gjitha këto dihen”, - tha Xhaferi. Ai kujtoi edhe dosjet e vjetra ish-qeverisë socialiste, të cilat sipas tij, nuk duhen harruar, por duhen proceduar. “Disa raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk janë zbatuar, në vitin 2004 janë zhvatur 50 miliardë lekë, duke shkelur hapur ligjin. Ka një raport tjetër të KLSH-së që tregon se çfarë u keni bërë fondeve të shkollës nga Korça deri në Shkodër, keni vjedhur me xhama, me dysheme nga qyteti i Korçës e deri në shkollat më të largëta të Shkodrës. Ky ka qenë maja e ajsbergut. Kur unë isha kryetari i komisionit hetimor për ish-prokurorin, isha i detyruar të prisja shumë qytetarë, nga Këlcyra e Përmeti e nga Shkodra. Kishte 5 vite që ishte vrarë djali dhe prokurorët nuk bënin gjë, qytetarit nga Shkodra i kishin çuar vajzën për prostitutë dhe prokurorët sërish rrinin pasivë. Këto probleme e çuan mazhorancën që të shkarkonte prokurorin”, - deklaroi në Kuvend Xhaferi.