E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, Islami: Në 2009 shqiptarët më të varfër

Tiranë-Në buxhetin e vitit 2009 nuk është parashikuar një zgjidhje për zbutjen e krizës, ndaj varfëria do të vazhdojë të thellohet kurse borxhi do të rritet me ritme galopante. Kështu është shprehur sot deputeti i PS-së, Kastroit Islami. Sipas tij kjo vjen nga papërgjegjshmëria e qeveritarëve.

Kriza globale që pa asnjë dyshim do të prekë shumë shpejt edhe Shqipërinë, më ndjeshëm në vitin 2009 pritet të kapë dy kategori qytetarësh, të varfërit dhe të gjithë ata që kanë borxhe. Sipas Islamit, të varfërit sepse duke rënë prodhimi do të rriten çmimet dhe nga ana tjetër do të rritet papunësia. Kurse ata që kanë borxhe do të goditen sepse do të rritet kostoja e borxhit.

“Për shkak të qeverisjes së keqe, shqiptarët janë edhe të varfër edhe janë futur në borxh nga qeveria e tyre”, u shpreh Islami. Borxhi i shqiptarëve në periudhën 2006-2009 është rritur me 1.3 miliard euro duke arritur në 5,3 miliard euro, ndërkohë që pasuritë vetëm të anëtarëve të qeverisë janë rritur në këtë periudhë me 24 milion euro. Nga ana tjetër çmimet e ushqimeve bazë në 3 vitet e fundit janë rritur gati dy herë pra gati 100 përqind, ose 33 përqind çdo vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›