Greva e urisë, deputetët në ditën e 7 të ngujimit
Tiranë-Dhjetë deputetët e partive të vogla parlamentare po vazhdojnë për të shtatën ditë radhazi grevën e urisë. Ata kundërshtojnë Kodin e ri Zgjedhor ndaj qendrojnë të ngujuar në sallën e Kuvendit.
Zëdhënësi i kësaj greve, Dritan Prifti, informoi sot mediat mbi takimin me deputetët brenda sallës së Kuvendit. "I njoha deputetët grevistë me një letër që një grup intelektualësh shqiptarë i kanë drejtuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit, etj për të ndërhyrë në mënyrë urgjente në zgjidhjen e krizës politike", tha Prifti.
Prifti ka kërkuar reagimin e kreut të PS-së Edi Rama lidhur me këtë çështje.
Përsa i përket gjendjes shëndetësore të deputetëve mësohet se në përgjithësi është e mirë me përjashim të deputetit të PDK-së, Ymer Tola, i cili dje u dërgua me urgjencë në spital, por sot i është rikthyer grevës.
Të enjten, komisioni i posaçëm parlamentar miratoi me konsensus dhe pa ndryshime Kodin e ri Zgjedhor. Ky dokument i rëndësishëm do ti kalojë për diskutim dhe miratim Kuvendit, në ditët në vijim.