E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor, Milo i PDS apelon për dialog

Tiranë- Paskal Milo që drejton partinë Demokracia Sociale ka apeluar sot për dialog mes partive të mëdha e të vogla për Kodin e ri Zgjedhor. "Janë krijuar të gjitha mundësitë, që përmes një dialogu dhe ndoshta edhe ndërmjetësimi, të hidhen hapa përpara të cilat të çojnë në kompromise, që nuk dëmtojnë asnjë parti”, tha Milo.

PDS kërkon që dy partitë e mëdha PD dhe PS të reflektojnë edhe një herë lidhur me kodin zgjedhor. “Të ulemi edhe njëherë në bisedime dhe të shohim me gjakftohtësi se çfarë mund të rregullojmë", tha Milo. Ai shtroi nevojën për një debat më të gjerë publik, ku mund të përfshihen jo vetëm partitë politike, por dhe grupet e interesit sidomos ato që janë të lidhur me proceset zgjedhore dhe politike.

Njëkohësisht, kryetari i PDS-së mbështeti propozimin e fundit, të ardhur nga përfaqësia e deputetëve grevistë, për një depolitizim të plotë të të gjithë komisioneve te administrimit te zgjedhjeve, duke i zgjedhur anëtarët e tyre nga shoqëria dhe administrata civile dhe jo nga forcat politike.

Dhjetë deputetë të partive të vogla parlamentare, LSI dhe PDK prej shtatë ditësh kanë hyrë në një grevë kundër Kodit të ri Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›