E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti, Kuvendi përfiton 1 milion USD shtesë për makina

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi i shton arkës së tij të buxhetit fondin me mbi 1 milion dollarë amerikanë. Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka ndryshuar pothuajse në total shifrat e reja të buxhetit të shtetit për vitin 2009, duke mos pranuar në mënyrë përfundimtare rritjen e buxhetit për institucionet e pavarura të drejtësisë si Prokuroria e Përgjithshme, KLD-ja, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Në relacionin e paraqitur, kryekomisioneri Edmond Spaho ka bërë të ditur fondin për rritjen e Kuvendit. "Buxheti i Kuvendit të Shqipërisë është 1.043 milionë lekë. Detajimi i fondeve buxhetore bëhet nga Kuvendi, në zbatimin e ligjit "Për statusin e deputetit dhe të Rregullores së Kuvendit", thuhet në relacionin e komisionit, ku kërkon një shtim i veçantë të nenit të buxhetit të vitit 2009. Ndërsa në nenin 18, komisioni bën konkrete dhe mënyrën se si do të shkojë fondi shtesë për Kuvendin. Shtim fondesh janë kryer vetëm për 10 institucione, ku pjesa më e madhe është për ministritë e ndryshme.
Shpenzimet për zyrat e deputetëve
Komisioni propozon që Kuvendit të shtohen shpenzimet në shumën 94 milionë lekë. Nga kjo shifër 10 milionë lekë për shtim numri punonjësish në 37 vetë. Ndërsa pjesa tjetër prej 84 milionë lekësh do të përdoren nga Kuvendi për shpenzime kapitale, të cilat pritet të shkojnë kryesisht për krijim zyrash të reja të deputetëve. Gjithashtu, pritet që një pjesë e shpenzimeve të shkojë dhe për fonde makinash. Kuvendi pritet të ndërtojë zyra të reja për deputetët, duke i vënë në dispozicion dhe sekretarët. Dy ditë më parë PD dhe PS miratuan njëzëri propozimet e paraqitura nga sekretariati për buxhetin i Kuvendit, duke i cilësuar si të drejta.
Debati për dy relacionet
Në fillim të diskutimit për buxhetin e ri të shtetit, ka nisur debati në lidhje me relacionin, që u paraqit nga ana e komisionit parlamentar të Ekonomisë. Në sallën e Kuvendit u shpërndanë dy relacione të ndryshme, që kishin vulën e Komisionit të Ekonomisë. Në momentin e shqyrtimin administrata e Kuvendit ka shpërndarë një relacion të dytë me shifra të ndryshuara. Për një fakt të tillë, deputeti i PS-së, Erjon Braçe protestoi duke kërkuar që "kjo gjë tregon se nuk është zhvilluar një mbledhje e komisionit parlamentar të Ekonomisë". Braçe kërkoi që të mblidhet dhe një herë komisioni dhe të shqyrtohen dhe amendamentet e PS-së, por një gjë e tillë u hodh poshtë nga ana e kryekomisionerit Edmond Spaho, i cili u shpreh se opozita nuk mori pjesë në votim gjatë shqyrtimit nen për nen të projektbuxhetit të ri. Lidhur me dy relacionet e paraqitura në seancë nga po i njëjti komision, Spaho gjatë një prononcimi për "Panorama" deklaroi se "kjo ka të bëjë me faktin, se ishin llogaritur gabim shifrat, pra kjo kishte të bënte me gjëra teknike".

ndryshimet e kuvendit ne buxhet

Neni 14
Shtohet neni 14/1
• Buxheti i Kuvendit të Shqipërisë është 1.043 milionë lekë. Detajimi i fondeve buxhetore bëhet nga Kuvendi, në zbatimin e ligjit "Për statusin e deputetit dhe të Rregullores së Kuvendit".

Neni 18
• Komisioni miratoi dhe disa ndryshime në tabelat që janë pjesë e buxhetit të shtetit

• Kuvendit i shtohen shpenzimet në shumën 94 milionë lekë, nga të cilat: a) 10 milionë lekë janë shpenzime për personelin, për të mbështetur shtesën me 37 persona të numrit të punonjësve
b) 84 milionë lekë janë shpenzime kapitale

• Kontrollit të Lartë të Shtetit i shtohen shpenzimet për fond pagash në shumën 20 milionë lekë

• Agjencisë së Prokurimit Publik i shtohen shpenzimet në shumën 104 milionë lekë, nga të cilat 15 milionë lekë janë shpenzime operative dhe 89 milionë lekë janë investime

• Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Pasurisë i shtohen shpenzimet për fond pagash në shumën 4 milionë lekë për të përballuar shtesën me 4 persona në këtë institucion

• Agjencisë Kombëtare të Informacionit i shtohen shpenzimet për investime në shumën 50 milionë lekë

• Ministrisë së Bujqësisë i shtohen shpenzimet në shumën 460 milionë lekë: a) 100 milionë lekë në zërin "Investime për programin menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes"
b) 40 milionë lekë për funksionimin e Agjencisë së Pagesave
c) 320 milionë lekë për në Programin për zhvillimin e rural dhe prodhimin bujqësor

• Në Ministrinë e Brendshme rialokohen shpenzimet midis programeve

• Në Ministrinë e Shëndetësisë rialokohen shpenzimet midis programeve

• Në ministrinë e Arsimit bëhen këto ndryshime: a) shtohen shpenzimet për mallra dhe shërbime 130 milionë lekë
b) zbriten shpenzimet në zërin e transfertave korrente të brendshme 130 milionë lekë

• Shtohen shpenzimet për sigurimet shoqërore në shumën 805 milionë lekë, për shkak të shtyrjes nga data 1 janar 2009, në datën 1 maj 2009.

• Për mbulimin e shpenzimeve të përmendura më lart, komisioni propozon të përdoren këto burime: a) të shtohen të ardhurat jo tatimore në shumën 320 milionë; b) shtohen të ardhurat nga grantet në shumën 100 milionë lekë; c) shtohen të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore në shumën 1.217 milionë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›