E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalon buxheti, Qeveria merr 76 vota

 

BLEDAR HOTI

Maxhoranca miraton me 76 vota pro buxhetin e shtetit, duke mos marrë në konsideratë amendimet e opozitës. Socialistët kishin paraqitur disa amendamente, por që nuk u pranuan nga ana e maxhorancës. Kundër buxhetit votuan 34 deputetë, ndërsa katër deputetët demokristianë abstenuan me votën e tyre. Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Ymer Tola dhe Ndue Shpani abstenuan. Përpara shqyrtimit të buxhetit të ri nen për nen, deputeti i PS-së, Arben Malaj paraqiti përpara Kuvendit paketën antikrizë. Ai kërkoi mbledhjen e komisionit parlamentar të Ekonomisë për të shqyrtuar paketën e propozimeve të socialistëve. Por një kërkesë e tillë nuk u pranua për t'u futur për shqyrtim. Ministri i Financave, Ridvan Bode, pasi dëgjoi propozimet e socialistëve tha se "realisht ato janë të përfshira në buxhetin e ri të shtetit".
Propozimet e PS-së
Deputeti socialist Malaj, në fjalën e tij në Kuvend tha se thelbi i propozimeve të paketës së Partisë Socialiste është të rriten me 1 % të produktit të brendshëm bruto suportet buxhetore në ekonomi. "Kjo shifër është 11.8 miliardë lekë. Nga këto: 2.5 miliardë lekë mbi shifrat e buxhetit aktual të shkojnë për një buxhet social, për shtresat më të varfra; 9.3 miliardë lekë të shkojnë për investime. Kjo shifër është rreth 12 % më e madhe se investimet aktuale në buxhet. Këto investime ndryshe nga deri tani duhet të jenë fonde shtesë për investime, që mbarojnë jo për investime elektorale që fillojnë. Pra, duhet verifikuar ky parim i përdorimit të parave dhe jo thjesht rritje e investimeve për projekte që nuk mbarojnë, apo për projekte thjesht dhe vetëm elektorale", deklaroi Malaj. Burimet potenciale për të mbështetur këtë siguri të ekonomisë shqiptare duhet të vijnë sipas ish-ministrit të Financave nga: shkurtimet e shpenzimeve operative dhe rritje e shpenzimeve për investime; të ardhurat nga privatizimi të mos ndahen më 50 % për investimet dhe 50 % për borxh, por për këtë vit të rritet pjesa e të ardhurave që duhet për investime nga 50 në 60 deri 75 %. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi që të identifikohen edhe fondet përkatëse për importet e energjisë si pjesë e paketës për të stimuluar rritjen ekonomike dhe njëkohësisht kërkoi, që qeveria të përballojë pajisjen me karta identiteti të shtetasve shqiptarë për zgjedhjet e 2009-ës. Deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi i kërkoi kryeministrit Berisha të shprehet në lidhje me këto kërkesa, veçanërisht për çështjen e kartave të identitetit. Por kreu i Ekzekutivit ka preferuar të flasë vetëm pas votimit në tërësi të buxhetit. "Falënderoj opozitën për paketën e propozimeve, por ato që ata kërkojnë gjenden në buxhet. Faleminderit për mbështetjen pikë për pikë të buxhetit. Faleminderit për deklaratat mbështetëse ndaj buxhetit. Le të gjejë opozita një qeveri të vetme dhe të thotë se ka parashikuar për vitin 2009 këtë rritje pensionesh e rrogash që ka parashikuar qeveria ime, apo një qeveri që ka ulur në këtë masë sigurimet shoqërore", u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›