E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, Meta: Rama llogariti edhe dy votat e breshkave



Dy breshkat që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, mban në zyrën e tij, bëhen sërish objekt i ironisë dhe talljeve politike në adresë të tij. Pas Kryeministrit Berisha kohë më parë, tashmë është kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili teksa komentoi mënyrën se si kryebashkiaku Rama mori përsipër të numëronte votat pro buxhetit në Këshillin Bashkiak, përdori ironinë e breshkave. Meta vuri në dukje se Ramës i kanë dalë 29 të tilla, pasi ka përfshirë edhe votat e dy breshkave të tij. “Ndoshta i kanë dalë 29, sepse ka pasur parasysh dhe dy breshkat që mban në zyrën e tij. Por, kjo përsëri nuk është shumë për t’u shqetësuar, sepse ato nuk janë votuar nga qytetarët e Tiranës dhe nuk janë pjesë e Këshillit. Megjithatë, kjo është një çështje që i takon kryetarit të Këshillit të Bashkisë dhe atyre, të cilët përgjigjen sipas ligjit për këtë çështje”, - tha Meta. Prania e dy breshkave në zyrën e kryebashkiakut është e njohur publikisht dhe më parë edhe Kryeministri Berisha për të ironizuar Ramën e ka përdorur këtë fakt, duke treguar barcaleta. Në mbledhjet e qeverisë apo edhe në Parlament, Kryeministri Berisha është shprehur se Rama monologon me breshkat që ka në zyrë. Në këtë rast edhe kreu i LSI-së, për të ironizuar rolin e sekretarit që Rama e mori përsipër ta kryente, përfshin breshkat e Ramës. “Kanë qenë 29, kanë qenë 28, kanë qenë 26, se sa kanë qenë, kjo ishte diçka që duhej të verifikohej atje, në sallë, dhe jo të zgjidhej duke prishur votimet dhe duke u larguar nga mbledhja, sepse nuk është serioze”, - tha Meta. Në vazhdën e sulmeve ndaj njëri-tjetrit, Meta i kërkoi Ramës që të ndante rolin e tij si kryebashkiak nga roli i kryetarit të Partisë Socialiste, kjo si përgjigje ndaj deklaratës së Ramës se “ndryshimi i Shqipërisë do të vijë me apo pa Ilir Metën”. “Më vjen keq, por politizimi ekstrem i buxhetit të bashkisë vjen vetëm prej kryetarit të Bashkisë së Tiranës i cili, për fat të keq, nuk arrin ende të ndajë funksionin e kryetarit të bashkisë dhe mënyrën e detyrimin se si duhet të sillet si kryetar bashkie me faktin që është kryetar i Partisë Socialiste dhe se si duhet të sillet për të realizuar aspiratat apo qëllimet politike të kësaj partie. Kështu që Lëvizja Socialiste për Integrim di t’i ndajë këto gjëra dhe më duket se kjo ka qenë tepër evidente”, - shtoi Meta. Ai theksoi se qëndrimi i LSI-së lidhur me buxhetin nuk është aspak politik, ndërsa ftoi Ramën të reflektonte.

Për herë të parë, kreu i LSI-së pranoi t’ përgjigjej akuzave të G99-s dhe kreut të saj, Erion Veliaj. Së pari, Meta tha se G99-a është krijesë e abuzimeve të buxheteve të mëparshme të Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, kjo është një shoqatë e krijuar nga kryetari i bashkisë vetëm për të sharë LSI-në dhe për të kopjuar nismat e saj, sikurse është e drejta e votës së emigrantëve apo çështje të tjera. Ndërsa referuar direkt Erion Veliajt, Meta tha se nuk i merr seriozisht akuzat e Erionit të G99-s. “Për arsye sepse kur unë isha në moshën e tij, drejtoja Shqipërinë dhe ndryshoja Tiranën. Mund t’ia thotë edhe miku ynë i përbashkët, Edi, se kush ia ktheu Tiranës parkun “Rinia”, se kush i ktheu Tiranës dhe i rregulloi Lanën apo parqet rreth Kuvendit të Shqipërisë. Sepse kur i bëja unë këto gjëra - Edi ka qenë dëshmitar - isha në moshën e Erionit, por Erioni atëherë ishte i vogël dhe ishte me studime jashtë shtetit e ndoshta nuk i di këto gjëra”, - deklaroi kreu i LSI-së. Partia e Metës ka qenë objekt i sulmeve të G99-s, por kreu i saj nuk u është përgjigjur këtyre akuzave duke qenë indiferent ndaj Veliajt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›