Koçi: Debati për buxhetin, plan i Ramës kundër LSI-së
Kreu i PS’91, Petro Koçi, deklaroi dje se debati politik për buxhetin e Tiranës është një plan i përgatitur mirë nga Rama për të mbuluar pazaret Rama-Berisha për Kushtetutën, Gërdecin, Kodin Zgjedhor apo reformën për Prokurorinë. Sipas tij, propozimeve për ndryshime në projektbuxhet, Rama iu përgjigj me një gjuhë provokuese dyjavore të dy zëdhënësve mistrecë të tij kundër socialistëve të LSI-së. Dukej qartë se interesi politik i Ramës ishte vota kundër e LSI-së në Këshill, prandaj mbylli me dhunë çdo hapësirë për ndryshime dhe mirëkuptim. “Ramës i duhej me çdo kusht që votën kundër të LSI-së ta shiste si bashkim të saj me PD-në. Rama harron se vota e opozitës kundër buxhetit “Berisha” në Kuvend, nuk ishte as antiqytetare, as shprehje e interesave personale dhe as bashkim i votuesve kundër me Ramën”, - tha Koçi.
Sipas tij, PS’91 votoi kundër buxhetit “Berisha” pa bërë ndonjë bashkim me teknologjinë “Berisha” të PS-së. “Sidoqoftë, PS’91 kërkon që Rama ta lërë mënjanë teatrin dhe të ulet si një njeri i rritur tashmë me grupet e këshilltarëve që buxheti të kalojë me ndryshimet e nevojshme dhe pa blerë votat e aleatëve të Berishës”, - përfundoi kreu i PS’91, Petro Koçi.