E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon zëvendëspresidentin e SHBA-së



Një muaj pas ardhjes në pushtet të Presidentit të ri të SHBA-së, Barack Obama, Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha iu rezervua dje një takim me zëvendësin e tij, z. Joe Biden. Zëvendëspresidenti amerikan i shprehu mbështetje të padiskutueshme Shqipërisë në proceset e saj integruese teksa pranoi me kënaqësi ftesën e Berishës për të vizituar vendin tonë. Në fillim të takimit, z. Berisha i shprehu z. Joe Biden mirënjohjen e thellë, kënaqësinë e veçantë dhe nderin e madh për mundësinë që iu dha për të takuar zëvendëspresidentin amerikan, një mik të vyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti amerikan Biden u shpreh me ndjenja të përzemërta për këtë takim dhe tha se ndihej i nderuar që ishte mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. “Administrata e re amerikane, - u shpreh zëvendëspresidenti amerikan, - do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese”. Kryeministri Berisha, duke vlerësuar rolin dhe aktivitetin e zëvendëspresidentit amerikan, z. Joe Biden, e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri, duke u shprehur se kjo vizitë do të ishte një kënaqësi shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden. Gjatë këtij takimi Berisha shoqërohej nga kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu. Në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington DC, dje u zhvillua ceremonia e Mëngjesit të Lutjeve, një takim ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga 182 vende të botës si, senatorë, kongresmenë amerikanë, anëtarë të qeverisë amerikane, zyrtarë të lartë të administratës, liderë, politikanë të lartë dhe personalitete të ndryshme të botës, nga fusha e artit, kulturës, shkencës etj. Në ceremoni morën pjesë Presidenti i SHBA-së, z. Barack Obama, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Michelle Obama, dhe zëvendëspresidenti amerikan, z. Joe Biden. Kryeministrit Berisha dhe bashkëshortes së tij u ishte rezervuar një vend nderi në tryezën ku ndodhej Sekretarja e Shtetit, znj. Hillary Clinton dhe senatori Bill Nelson. Në fillim të takimit, kongresmenët Vernon J. Ehlers dhe Heath Shuler prezantuan para të pranishmëve Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, prani e cila u duartrokit dhe u mirëprit me përzemërsi nga pjesëmarrësit. Një ditë më parë, para kësaj audience, Kryeministri Berisha mbajti një fjalim, i cili u vlerësua nga të pranishmit si frymëzues për vlerat e kombeve, paqen, mirëkuptimin dhe besimin njerëzor. Në ceremoninë e Mëngjesit të Lutjeve mbajti përshëndetjen kryesore Presidenti i SHBA-ve, z. Barack Obama. Në fjalimin e tij frymëzues, që ngjalli emocion tek pjesëmarrësit, Presidenti Obama u ndal tek rëndësia e madhe që ka paqja, dialogu, vëllazëria për bashkëpunimin e shoqërive njerëzore, kombeve dhe popujve në botë. Presidenti Obama theksoi rëndësinë e madhe të këtyre vlerave, për më tepër në kohë të tilla, kur kriza ekonomike ka prekur shumë vende të botës dhe për kapërcimin e të cilës kërkohet durim, vullnet, bashkëpunim dhe mirëkuptim.

Mëngjesi i Lutjeve është një takim vjetor që mbahet në Uashington të enjten e parë të muajit shkurt të çdo viti dhe është shndërruar tashmë në traditë të promovimit të vlerave njerëzore, paqes, dashurisë dhe miqësisë në botë.

Mëngjesi i Lutjeve është një takim vjetor që mbahet në Uashington të enjten e parë të muajit shkurt të çdo viti dhe është shndërruar tashmë në traditë të promovimit të vlerave njerëzore, paqes, dashurisë dhe miqësisë në botë.

Pelosi: Thellim të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA

Gjatë qëndrimit në Uashington, Kryeministri Berisha bisedoi dje me spikeren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, znj. Nancy Pelosi. Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Pelosi mirënjohjen e madhe për ndihmën dhe mbështetjen që Kongresi amerikan i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, në rrugën e integrimit të saj në NATO dhe në suksesin e reformave të ndërmarra në vend. Nga ana e saj, spikerja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, znj. Nancy Pelosi, u shpreh e kënaqur që takohej me Kryeministrin Berisha, ndërsa garantoi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në vazhdim. Zonja Pelosi, pas ftesës së bërë nga Kryeministri Berisha, shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, vend për të cilin nuk i ishte dhënë mundësia më parë për ta vizituar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›