E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDS: Zgjedhjet, probleme me kartat dhe listat



Partia Demokracia Sociale deklaroi dje se qeveria ka dështuar në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari, akuzoi njëkohësisht Partinë Demokratike dhe disa struktura shtetërore se kanë manipuluar procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. Duçkallari tha se në rrethin e Burrelit po tentohet që shumë votues që rezultojnë të papajisur me pasaporta, të cilët mendohet të votojnë për forcat e majta, nuk janë përfshirë në listat parësore për pajisjen me karta identiteti. Pas kërkesës insistuese të opozitës, qeveria ra dakord të shpërndante letërnjoftimet e reja, duke u dhënë përparësi atyre shtetasve, të cilët nuk zotërojnë një pasaportë për udhëtim jashtë shtetit. “Por PDS-ja ka vërejtur se shumë zgjedhës, të cilët u përkasin partive të opozitës, nuk e gjejnë emrin e tyre në listën e dërguar nga Ministria e Brendshme, në njësitë e pushtetit vendor. Me një kujdes të veçantë, njerëzit e Berishës po bëjnë gjithçka që këta shtetas të mos kenë mundësi t’u drejtohen kutive të votimit më 28 qershor”, - tha më tej sekretari i politik i kësaj partie.

PS: MB, infrastrukturë policore për zgjedhjet

PS-ja akuzoi dje drejtuesit e Ministrisë se Brendshme dhe të Policisë së Shtetit se po merren me krijimin e një infrastrukture policore, politikisht të motivuar në funksion të zgjedhjeve të vitit 2009. Sipas deputetit të PS-së, Piro Lutaj, veprimet në drejtim të lëvizjes pa kriter dhe politikisht të motivuar të kuadrove të policisë janë një veprim i qartë për një sinjal ogurzi, në fermentim, me synim vënien e strukturave të policisë së shtetit nën diktatin politik të mazhorancës qeverisëse duke cenuar rëndë rolin dhe funksionet kushtetuese të Policisë së Shtetit e njëkohësisht duke rrezikuar jo vetëm besueshmërinë e këtij institucioni, por në radhë të parë e mbi të gjitha, procesin zgjedhor dhe rolin e Policisë së Shtetit në këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›