E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takime me rrjetin e vullnetarëve

06/02/2009  Kreu i PS-së starton turin e radhës në kuadër të fushatës elektorale

Strategjia e PS-së: lidershipi socialist biseda me të rinjtë në të gjithë vendin

Kreu socialist Edi Rama nis një tjetër tur nëpër Shqipëri, kësaj radhe me rrjetin e vullnetarëve të Partisë Socialiste. Sikundër dihet, pranë kësaj partie është ngritur dhe ka nisur funksionimin rrjeti i vullnetarëve, të cilët do të jenë të angazhuar në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Për këtë arsye kryetari i PS-së do të ndërmarrë një tjetër nismë, duke startur një tjetër tur në të gjitha qytetet e vendit për të zhvilluar takime me vullnetarët. Mësohet se tashmë ky rrjet është drejt konsolidimit përfundimtar, duke përfshirë një numër jo të vogël të të rinjve që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dhënë kontributin dhe mbështetjen e kësaj pjesë të shoqërisë shqiptarë për Partinë Socialiste. Ndërkohë, për të qenë më afër dhe për t’u njohur drejtpërdrejt me këtë rrjet në të gjithë Shqipërinë, kreu socialist ka vendosur të startojë sot turin e tij, ku në qendër do të jenë pikërisht takimet me vullnetarët. Pritet që takimi i parë të zhvillohet në qytetin e Vlorës, për t’u pasuar me takime të tjera gjatë kësaj fundjave në qytete të tjera në Jug të vendit. Mësohet se gjatë këtyre takimeve kreu socialist së bashku me ekipin drejtues të këtij rrjeti do të shpalosin projektin e hartuar nga lidershipi socialist mbi mënyrën e funksionimit dhe organizmit të vullnetarëve në kuadër të fushatës elektorale. Ndër detyrat prioritare që duhet të zbatojë kjo strukturë e re e ngritur pranë PS-së lidhet konkretisht me përhapjen e mesazhit të kësaj partie, por edhe me organizimin i një sondazhi përmes një formulari tip. Duke ndaluar njerëz në çdo mjedis publik, vullnetarët do të kërkojë plotësimin e këtij formulari, i cili përmban disa pyetje, mes të cilave edhe performancën e Partisë Socialiste, natyrisht dhe të kryetarit të saj. Konkretisht, formulari mban pyetje të tilla si: ç’mendojnë për Edi Ramën dhe PS-në, për cilën parti do të votojnë: për PD-në apo për PS-në etj. Kështu, kreu socialist ka ndërprerë turin e tij “Dialog me Shqipërinë”, duke ua lënë radhën tashmë takimeve në kuadër të fushatës elektorale. Lidershipi i Partisë Socialiste ka menduar që të ndërpritet bashkëbisedimi në zona të ndryshme të vendit, që zgjati për një kohë relativisht të gjatë, për t’u zëvendësuar me takimet elektorale. Në këtë kudër, takimet e para do të jenë pikërisht me rrjetin e vullnetarëve në të gjithë Shqipërinë. Në këtë mënyrë takimeve të shumta që zhvilloi kreu socialist Edi Rama në të gjithë vendin tashmë u ka ardhur koha që të mos zhvillohen më, pasi do të ishte një kosto në dëm të kësaj partie. Kjo për shkak të konsumit si të kryetarit të PS-së dhe ekipit drejtues të saj, por njëkohësisht dhe për vetë banorët, të cilët do të lodheshin dhe më tej me takime të njëpasnjëshme. Aq më tepër që tashmë vendi ndodhet në prag të fushatës elektorale. Ndërkohë turi i ri, pra i takimeve mes kryetarit Rama dhe vullnetarëve të PS-së, do të përfshijë takime në të gjitha qytetet.

“Dialogu me Shqipërinë”

Kreu i Partisë Socialiste ndërmori në fillim të shtatorit të 2007-s turin e tij “Dialog me Shqipërinë”. Në qendër të këtij turi ishte pikërisht njohja nga afër e problemeve të banorëve duke kontaktuar drejtpërdrejt me ta. Në këtë largim të tij nga metropoli Rama zgjodhi si temë të parë për të dialoguar me shqiptarët arsimin, për t’u pasuar nga mjedisi, bujqësia, energjetika dhe uji. Por sikurse dihet, jo çdo zonë ka të njëjtat shqetësime dhe probleme me tjetrën. E për këtë arsye, përpara se Rama të zhvillonte takimet e tij, paraprakisht janë testuar zonat në të cilat do të kryheshin bisedat mes banoreve dhe kryetarit të PS-së, i cili shoqërohej dhe nga pjesëtarë të ekipit drejtues. Këto takime kishin dhe një tjetër synim: hartimin e programit të ri të kësaj partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›