Çamët: Duam edhe ne varrezat tona në Greqi
Çamët, i kërkojnë Ministrisë së Jashtme që t’i bëjë me dije shtetit grek se kërkojnë “Ndërtimin në Paramithi të Greqisë të një obelisku në përkujtim të masakrës së Paramithisë, nisur më 27 qershor 1944.
TIRANE- Çamët kërkojnë nga qeveria shqiptare që të tregojë të njëjtën ndjeshmëri si për grekët e rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, ashtu dhe për shqiptarët e rënë në Greqi gjatë deportimit të çamëve drejt Shqipërisë. Kryetari i shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, u shpreh se “jemi të habitur për faktin se nuk u komunikua asgjë në lidhje me kërkesën që Shoqata Patriotike “Çamëria”, mbështetur nga Instituti i Studimeve për Çamërinë dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, i dërguam Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë, vetëm pak javë më parë për kërkesat tona”. Çamët i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të ushtrojë gjithë autoritetin e saj pranë shtetit grek, që të ndërtohen dy memoriale për të rënët çamë në tokën greke. Tana u shpreh dje se janë njohur përmes mediave për marrëveshjen e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për dy varrezat e ushtarëve grekë që do të ndërtohen në vendin tonë. “Duke mirëkuptuar kërkesën për respektimin e të rënëve grekë, u kërkojmë të sjellin në vëmendje të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë, se duhet që në marrëdhëniet dypalëshe të kërkojë respektimin e parimit të reciprocitetit”, - tha dje Tana. Sipas tij, gjatë bisedimeve të dy qeverive për realizimin e planit grek, duhet me patjetër të diskutohet dhe kërkesa e çamëve, pasi mbi të gjitha qëndron “respekti për të rënët”, i cili “nuk duhet të jetë i ndryshëm, pavarësisht kombësive të ndryshme të të rënëve.” Tana në fjalën e tij shprehu vlerësim për qëndrimin e fundit të mbajtur nga Kryeministri Berisha në lidhje me zgjidhjen e çështjes çame. “Mbështetur në këtë vullnet, kërkojmë dhe besojmë se qeveria shqiptare në të ardhmen do të jetë më aktive në përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila nuk është një çështje vetëm teknike dhe ligjore, por mbi të gjitha është çështje e të drejtave të njeriut, çështje politike dhe historike”, - tha dje kryetari i shoqatës “Çamëria”. Ai vuri në dukje se miqësitë dhe fqinjësitë e mira ndërtohen mbi bazën e respektit reciprok, prandaj i kërkoi qeverisë shqiptare se “duhet në këtë rast të kërkojë me këmbëngulje respektin e parimit të reciprocitetit në marrëdhënie me qeverinë greke”.
Edhe pse dy vendet treguan vullnetin e tyre për t’i zgjidhur çështjet e diskutueshme mes tyre, siç janë ajo e pronave, e varrezave, gjatë vizitës së Presidentit Topi në Greqi, ende nuk ka gjetur zgjidhje çështja çame. Grekët pretendojnë se çështja e pronave të çamëve është një çështje ligjore që mund të zgjidhet duke ndjekur rrugën e gjykatave. Ndërsa gjatë takimit mes dy presidentëve, u pa e domosdoshme ngritja e një komisioni teknik për të zgjidhur këto çështje mes vendeve. Duket se ky komision deri më tani ka zgjidhur vetëm çështjen e varrezave të grekëve, të cilët duhet thënë kanë kërkuar katër vende për ndërtimin e tyre, ndërsa gjatë negociatave mes palëve u ra dakord që të jenë vetëm dy të tilla.
(s.g/Gazetashqiptare/BalkanWeb)