E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti bllokon Këshillin Bashkiak të Fierit

Mazhoranca e re ndryshon draftin e paraqitur nga bashkia. Të majtët bojkotojnë
Tensionet politike kanë zbritur sërish në Këshillin Bashkiak të Fierit. Ka qenë diskutimi i projektbuxhetit të vitit 2010 i Bashkisë së Fierit ai që ka zgjuar debatet mes përfaqësuesve të majtë dhe të djathtë. Ndonëse mbledhja ka zgjatur më tepër se katër orë, nuk ka nxjerrë asnjë vendim. Mbledhja është ndërprerë tri herë, si pasojë e mosgjetjes së konsensusit dhe marrjes së vendimeve politike si nga përfaqësuesit e djathtë, dhe nga ata të majtë. Ndërprerja e parë është kërkuar nga forcat e djathta, të cilat kanë braktisur sallën e këshillit për më tepër se katër orë dhe në mjediset e Këshillit të Qarkut kanë marrë vendimin e tyre politik. Ndërkohë që ndërprerja e dytë, afro 15 minuta, është kërkuar nga këshilltarët e PS-së, të cilët në zyrën e kryetarit të bashkisë po ashtu kanë marrë vendimin e tyre politik. Ndërsa ndërprerja e tretë është bërë nga këshilltarët e majtë që lanë mbledhjen, pasi panë që po miratoheshin pika pa u futur më parë në rendin e ditës. Mosmiratimi i buxhetit është cilësuar prej kryetarit të bashkisë si një trup i madh para donatorëve të shumtë të Bashkisë së Fierit. Ai ka renditur qeverinë holandeze dhe Bankën Botërore, e cila ka realizuar projekte dhe ka shumë të tilla në vazhdim.
Këshilltarët e djathtë, të përfaqësuar nga kryetari i grupit Ferdinand Murati, kanë kërkuar që buxheti të miratohet, por me një ndryshim: kalimin me sipërmarrje të ndërmarrjeve të gjelbërimit dhe pastrimit. “Duhet që ndërmarrja e pastrimit dhe e gjelbërimit të shkrihet. Punëtorët e tyre të shkurtohen dhe shërbimi i këtyre ndërmarrjeve të kalojë me sipërmarrje. Ne si mazhorancë kërkojmë që të ketë një ristrukturim të administratës së bashkisë, pa këtë ndryshim nuk ka miratim të buxhetit”, tha Murati.
Ky propozim i papritur ka sjellë reagimin e këshilltarëve të majtë, që pas shumë debatesh janë larguar për pak minuta nga salla ku zhvillohej mbledhja. Në zyrën e kryetarit të bashkisë, këshilltarët e PS-së kanë marrë vendimin që të mos të dalin nga pikat e rendit të ditës dhe të vijojnë të kërkojnë miratimin e buxhetit. Admirim Shehu, kryetar i këshillit, edhe pse disa herë i doli situata e mbledhjes nga kontrolli, ka hedhur për votim dy propozime që kishin të bënin me miratimin e projektbuxhetit të prezantuar nga bashkia, si dhe propozimin e forcave të djathta për kalimin me sipërmarrje të pastrimit dhe gjelbërimit.
Propozimi i parë i miratimit të buxhetit ka marrë 14 vota pro dhe 19 kundër. Ndërsa kryetari i këshillit, Admirim Shehu, përfaqësues i PD-së, ishte duke hedhur për votim propozimin e bërë nga e djathta për sipërmarrjen, këshilltarët e majtë kanë lënë sallën e këshillit bashkiak, për të mos u kthyer më në mjediset e saj. Mbledhja e këshillit bashkiak ka vijuar vetëm me përfaqësuesit e PD-së, PDI-së, LSI-së dhe PR-së. Me 19 këshilltarë prezentë, kryetari i këshillit ka miratuar ndryshimet në projektbuxhet dhe disa pika të rendit të ditës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›