E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen ndryshimet në Kodin Penal, burg kush ndërton pa leje

 

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat për të kaluar së bashku dy ndryshimet në Kodin e ri Penal. Votimi për ndryshimin e Kodit Penal ka vënë në siklet maxhorancën, pasi është detyruar të realizojë votimin vetëm kur janë mbledhur një pjesë e mirë deputetëve të saj. Kryeparlamentarja Topalli ka  pritur për disa minuta, gjersa të vinin deputetët e maxhorancës. Votimi i parë për disa ndryshime për Kodin Penal ka marrë gjatë votimit në tërësi 94 vota pro, një kundër dhe katër abstenime. Votat kundër dhe abstenime kanë qenë nga ana deputetëve të LSI-së dhe të PSD-së. Ndryshimi i Kodit ka të bëjë me ndëshkimin si vepër penale të ndërhyrjeve, që bëhen në transmetimet kompjuterike. Ndryshimi i dytë për Kodin Penal lidhet me uljen e dënimeve penale, si dhe dhënien e dënimeve alternative. Gjithashtu, par-ashikohet masa drastike për personat që vjedhin energjinë elektrike, apo për ndërtimet pa leje. Më parë kjo masë ndëshkimore në Kod parashikohej me gjobë dhe me prishje të ndërtimeve pa leje. Dënimi me burg shkon nga 3-5 vjet. Deputeti i PSD-së, Engjëll Bejtja u shpreh kundër një sanksionimi të tillë, duke e cilësuar si alogjike. "Ne jemi në një proces legalizimi dhe po ndëshkojmë ata që bëjnë shtesa pallatesh apo ndërtojnë në tokën e tyre. Kjo nuk ka sens të votohet në Kuvend", deklaroi Bejtja. Në votimin në tërësi Kodi Penal mori 91 vota pro, 5 kundër dhe pesë abstenime. Deputetët e PSD-së, Çuli, Musabelliu, Gjinushi, Bejtaj dhe Divjaka votuan kundër. Ndërsa deputetët e LSI-së, Koçi, Braho, Kola dhe Neranxi abstenuan. Po dje Kuvendi miratoi me shumicën dërrmuese të votave projektligjin "Për Ekzekutimin e vendimeve penale". Pro këtij projektligji votuan 99 deputetë të Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›