Politika, mrekulli apo konflikt
Elmaz SHERIFI
Shpesh këto ditë diskutohet kthimi nga Presidenti i një neni të Kodit Zgjedhor dhe diskutimi i projektligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë”. Deklaratat më të diskutueshme janë padyshim ato të ...Berishës. Ato janë aq kontradiktore sa e humbasin besueshmërinë, edhe nëse bëhen nga paaftësia për të kontrolluar vetveten. Paaftësia e kontrollit të mendimeve, shpesh zbulon thelbin e mendimit të kujtdo që shprehet. Në këtë mënyrë kuptohet se kontradiksioni i shprehjes evidenton edhe mendimin kontradiktor për proceset e reformave të mëdha demokratike, që duhet detyrimisht të realizohen tashmë, në prag të pranimit të Shqipërisë në NATO dhe paraqitjes së kërkesës për t’u pranuar si anëtare me të drejta të plota në BE. Presidenti e ktheu projektligjin, tha fillimisht Berisha, për të pajtuar PS me LSI. Nëse Presidenti do të donte realisht që dispozitat kushtetuese të prevalonin ndaj projektligjit, tha Berisha, ai duhet ta kishte dekretuar projektligjin. Në këtë deklaratë kryeministri ishte shumë i saktë. Në Kushtetutë në nenin 65 thuhet: “Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij”. Precedentët e praktikave parlamentare njihen. Kuvendi në rastet e kthimit të projektligjit nga Presidenti ka vetëm tre alternativa. Mund të mos e pranojë ndryshimin e dispozitës, që Presidenti kërkon dhe në këtë rast mjafton të votojnë kundër dekretit shumica e Parlamentit. Mund ta pranojë dispozitën dhe ta bëjë ndryshimin si e ka sugjeruar Presidenti ose e pranon atë duke i bërë ndryshim të pjesshëm. Në të dyja këto raste votimi kërkon tre të pestat e votave. Nëse do të kishte vullnet, Kodi do kishte kaluar në Parlament ditën e enjte. Vonesa për miratimin e tij nga ana e maxhorancës po bëhet në mënyrë që të thellohet konflikti midis PS dhe LSI. Kjo është kultura demokratike dhe synimi politik i maxhorancës. PD dhe z.Berisha fshehin edhe synimin tjetër. Vonimin e Kodit, me qëllim që të mos krijohen kushte normale për ngritjen e organizmave të tjera, zgjedhore sipas dispozitave të Kodit, të cilat do krijojnë premisa ligjore për zgjedhje të lira e demokratike.
Dosjet
Jam një ndër firmëtarët e projektligjit të paraqitur nga grupi i PS që në vitin 2006. Nisma jonë ligjore ishte në përputhje me parimet e Këshillit të Evropës. Pas dy vitesh pune në boshllëk PD kalon në seancë projektin e saj, duke i kërkuar PS t’i bashkohej nismës, një nismë kjo me një projekt shumë më antidemokratik se vetë projekti i saj fillestar. Projektligji ka mbi 20 dispozita që janë në kundërshtim me Kartën Evropiane të së Drejtave të Njeriut, me Kushtetutën dhe ligjet organike, që rregullojnë veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, ligjin mbi Organizimin e pushtetit gjyqësor e Ligjin mbi organizimin e Prokurorisë. E si mund të miratohet ky projektligj me konsensus? Si zakonisht Berisha, në një diskurs të gjatë në Kuvend, nuk harroi që të akuzojë PS si mburojë e kriminelëve dhe xhelatëve të diktaturës. Në fokus të mllefit politik u vendos Edi Rama, si nipi i anëtarit të Byrosë Politike, (kjo është luftë e mirëfilltë e klasave) të cilin vetë Sali Berisha në zgjedhjet e para pluraliste e kishte ftuar të ishte kandidat për deputet i PD. I dyti ishte Zamir Shtylla “xhelati” i diktaturës, por i emëruar drejtor në Prokurori nga Sali Berisha në 1993 kur ishte President! Kontradiksioni është evident, mesazhi është i qartë. Nëse je me z.Berisha le të kesh problem me drejtësinë, je i ndershëm! Nëse rezulton e kundërta, je kriminel, xhelat e gjithçka! Nuk e besoni? Më lejoni ta ilustroj me një rast. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe ish-shef i SHIK-ut të Tiranës, kur Berisha ishte President është i akuzuar për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Me mbështetjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit vazhdon detyrën! Nga deputetë të PD u trajtua zhdukja paligje në diktaturë e mjaft personave. Disa prej tyre as sot nuk u gjendet varri?! Edhe unë e dënoj këtë makabritet. Po si nuk ka kurajë qytetare dhe moral politik, qoftë dhe një deputet i vetëm i PD, që të dënojë zhdukjen e të ndjerit Remzi Hoxha, i rrëmbyer dhe zhdukur në kohën kur qeveriste PD. Krimet janë të dënueshme si në diktaturë dhe në demokraci. Ne nuk e mbështesim projektligjin e paraqitur, pasi ai bie ndesh edhe me dispozitat e Kodit Penal. Për këtë le të analizojmë disa dispozita të projektligjit në aspektin juridik dhe t’i ballafaqojmë ato me dispozitat e Kodit Penal. Sipas nenit 4 të projektligjit, nuk mund të mbajë funksionin çdo person nëse gjatë viteve 1944 deri në 1990 është “I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit, ose për veprat penale të shpifjes, të kallëzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në procese politike”. Pra, kush ka këtë cilësi nuk mund të ketë një nga detyrat e përcaktuara në nenin 3. Dakord, por kjo dispozitë është në kundërshtim me nenet 66, 68 dhe 69 të Kodit Penal. Sipas nenit 66 nuk mund të bëhet ndjekje penale kur nga kryerja e veprës penale deri në çastin e marrjes së personit të pandehur kanë kaluar 20 vjet për krime që parashikojnë dënim jo më të ulët se 10 vjet ose dënim tjetër më të rëndë. Sipas nenit 68 të Kodit Penal parashkrimi i ekzekutimit të dënimit ose “vendimi i dënimit nuk ekzekutohet, kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar: a) 20 vjet për vendimin që përmban dënimin 15 gjer 25 vjet burgim. Dhe sipas nenit 69 ku trajtohet instituti i rehabilitimit, quhen të padënuar ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga 10 deri 25 vjet dhe gjatë 10 vjetëve nga vuajtja e dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale. Të gjitha këto kategori janë rehabilituar dhe fëmijët e nipërit e tyre mund të jenë drejtues të lartë të PD, ministra, oficerë të SHISH, anëtarë të qeverisë, të KOP-it, etj. Sipas germës (g) të nenit 4, nuk mund të qëndrosh në funksionet publike nëse ke qenë: hetues apo ndihmës-hetues, prokuror apo ndihmësprokuror dhe gjyqtar apo ndihmësgjyqtar. Ndihmësgjyqtar ishin punëtorët, fshatarët dhe intelektualët e dalluar. E përse duhet penalizuar edhe kjo kategori nëse në proceset gjyqësore kanë zbatuar ligjet e kohës. Edhe nëse ne kemi lajthitur dhe bashkohemi me nismën ligjore të PD, për t’i dënuar në demokraci pa gjyq, ata i merr në mbrojtje neni 29 i Kushtetutës pika 1 dhe 3, ku thuhet; “Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj”. Mendoj se duhet të jenë subjekt i këtij ligji vetëm ajo kategori gjyqtarësh, prokurorësh dhe hetuesish që kanë tejkaluar kompetencat ligjore të kohës. E vërteta është se më shumë se njerëzit e ligjit, vetë ligjet e sistemit ishin antinjerëzore. Dhe ato ligje u përmbysën tash gati 20 vjet, së bashku me strukturat politike. Bashkohem me shumë të përndjekur politikë, kur japin shembuj se si edhe nëpunës kriminelë kanë tejkaluar kompetencat ligjore dhe u kanë krijuar vuajte të shumta. Për këtë kategori të hapen dosjet. Cilido nga vuajtësit le të njihet me provat, faktet, dëshmitë e rreme dhe të hapë proces penal ndaj dhunuesit të tij. Kjo kategori nuk meriton të mbaj funksione publike. Të njëjtën analizë do të bëja edhe për dispozitat, që trajtojnë autoritetin e kontrollit të figurave, duke i dhënë kompetenca që bien ndesh me dispozitat e kushtetutës. Si mund të ndërpriten mandatet e funksioneve kushtetuese nga një Autoritet politik i krijuar me shumicë të thjeshtë votash në Parlament? Ky është një nonsens i vërtetë juridik. Si është e mundur të mungojë ekspertiza e vërtetë juridike në këtë qeveri? Mesa duket veprojnë instinkte politike, të cilat bëhen sunduese në këtë proces. Me të drejtë mund të pyesnim. Ky veprim që bëhet tani, është nga paaftësia, apo…?
Politika e ndryshimit
Rusvelt ka thënë: “Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht. Në qoftë se ndodh, mund të vini bast, se ishte planifikuar të ndodhte në atë mënyrë”. Ky proces ndodh tani, sepse po afrojnë zgjedhjet parlamentare. Ministra të PD sa herë ka debate politike dhe ndodhen në vështirësi përdorin shprehjen: Mos u mërzisni se do të qëndrojmë edhe 20 vjet në pushtet ne… Vetë Berisha e ka deklaruar se në vitin 2005 ju morët votat, por pushtetin e kemi ne. Pra, qëllimi është mbajtja e pushtetit si mjet sundimi. Politika si mision i mirëqenies për popullin po zëvendësohet me alternativën: “Politika si biznes për një grup njerëzish”. Nepotizmi familjar po gërshetohet me nepotizmin e interesave të pista. Ne jemi në një moment historik si vend e si komb, ku filozofia perëndimore e qeverisjes duhet të prevalojë ndaj frymës ballkanike të urrejtjes, përçarjes dhe sundimit. Praktikën e sundimit të njerëzve duhet ta zëvendësojë sundimi i ligjit, i shprehur jo nga goja e prokurorëve politikë, por nga institucionet e pushtetit gjyqësor. Shoqëria shqiptare është në një stad kur elementë të politikës moderne duhet të bëhen sundues. Konkurrenca e ideve progresiste duhet të zëvendësojë politikën e konfliktit primitiv e vulgar. Sipas politologëve dhe studiuesve të së ardhmes, POLITIKA parashikohet si një ndër mrekullitë e të ardhmes, krahas zbulimeve të mëdha të qelizave antikancer, jetës në planetët e tjerë, etj. Politika duhet të trajtohet dhe të realizohet si shkencë, por jo të njësohet me të. Sepse shkenca nuk pranon kompromisin. Ndërsa kompromisi është thelbi i politikës moderne. Si të tilla mund të trajtoheshin vendimmarrjet për reformat e diktuara nga objektivat e Stabilizim-Asociimit në BE. Ndërsa, politika si shkencë nuk mund të pranojë kompromise për të shkelur dispozita kushtetuese qoftë dhe për hartimin e ligjeve të rëndësishme, siç është projektligji “Për pastërtinë e figurës”. Politika si mision do ta fitojë këtë status kur të bëjë dallimin dhe diferencën midis politikës që kemi dhe politikës për të cilën kemi nevojë. Obama, ky president i ri i SHBA e vlerëson sistemin shëndetësor në SHBA si “përtokë e tmerrësisht të shtrenjtë”. Ndërsa kryeministri ynë mjek flet me patos vetëm për rritjen e pagave të mjekëve e infermierëve dhe aspak për gjendjen e mjeruar të shërbimit shëndetësor. Politika duhet të jetë përballje vizionesh. Por politikat vizionare bëhen nga liderë dhe stafe vizionarësh, që mbi interesat e tyre dhe lobeve që përfaqësojnë vendosin interesat e shumicës. Shpesh njerëzit thonë se politikanët idealistë janë një specie në zhdukje. Pra “bursa dhe aksionet” e politikanëve janë në krizë. Berisha ka humbur tashmë edhe aksionet e njeriut të pakorruptuar. Njihet historia e rënies së perandorive të mëdha, si ajo romakëve dhe persëve. Ato ranë kur humbi drejtësia. Edhe ky projektligj i qeverisë në thelb konfliktin e ka me drejtësinë, që nuk i shërben interesave klienteliste të pushtetit. Por Berisha shquhet edhe për aftësitë diversioniste. PD e ka bazuar strategjinë e saj për fitore jo te zgjerimi i elektoratit se këtë e ka të pamundur, prandaj ajo priret nga filozofia e përçarjes së elektoratit të majtë. Eshtë fakt që edhe në vitin 2005 pas 8 vjet në opozitë PD mori 120.000 vota më pak se e majta. Ky është një fakt kuptimplotë. Kryetari i PS, Edi Rama ka përballjen e parë në një konkurrim parlamentar. Përballja nuk duhet konsideruar si sfidë personale. Dhe me sa kam parë, ai nuk e trajton si të tillë. Si aspirues dhe nxitës i një politike të re, duhet ta kërkojë suksesin tek promovimi i vlerave të përbashkëta, pasi vlerat e përbashkëta janë zemra e politikës moderne. Tezat e trajtuara para disa ditësh prej Ramës në një takim se: “është i gabuar mendimi se nuk dua të merrem me politikë”, “e urrej politikën”, “dua të jem larg politikës”, më duken të drejta për t’i motivuar ata që të shprehin vullnetin e tyre politik me pjesëmarrje në votim. Për këtë duhet të besojnë në politikën e ndryshimit, duke votuar e jo duke abstenuar. PS-së i nevojitet një maxhorancë e gjerë, ku bashkohen vlerat e “të disiplinuarve” dhe vullnetet e lira të gjithë asaj pjese të shoqërisë, që besojnë në alternativën e ndryshimit të PS. Takimi me grupin e vullnetarëve është një nismë interesante, që vlen të përqafohet në të gjithë vendin. Kjo risi do frymëzojë, por nuk mund të zëvendësojë organizimin elektoral të “të disiplinuarve”. Është koha që e gjithë ajo plejadë njerëzish të zgjedhur e të emëruar në vite nga strukturat e PS të japin maksimumin e kontributit të tyre të vyer si vlerë e lartë morale. Ky është edhe morali politik i vlerave promovuese.